Lajme

Kosova i vendos sanksione të reja Rusisë dhe Bjellorusisë


Qeveria e Kosovës.

E rreshtuar ndër vendet e para e cila vuri sanksione ndaj Federatës Ruse, Kosova ka shtuar masat sanksionuese ndaj këtij shteti dhe Bjellorusisë për shkak të invazionit dhe agresionit ushtarak në Ukrainë.

Në mbledhjen e kësaj të hëne, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se do të vë ndalesa të reja financiare dhe ekonomike për këto dy shtete.

Njëri nga sanksionet e ndërmarra është është ngrirja e aseteve ndaj disa individëve dhe korporatave ruse.

Këto masa u tha se janë ndërmarrë në përputhje me pakon e sanksioneve të ndërmarra nga BE dhe SHBA, tha zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, i cili po udhëheqë këtë  mbledhje të qeverisë, pasi që kryeministri Kurti gjendet në vizitë zyrtare në SHBA.

Propozimin për ndalesat dhe sanksionet e qeverisë e bëri zëvendësministri i Jashtëm, Kreshnik Ahmeti.

“Këto sanksione synojnë të rrisin presionin mbi qeverinë dhe ekonominë ruse”, tha Ahmeti, duke kërkuar nga kabineti qeveritar që të votoj këto sanksione të shtuara nga pako e mëparshme e miratuar më 25 shkurt të këtij viti.

Përveç ngrirjes së aseteve, zëvendëskryeministri Bislimi listoi edhe sanksionet tjera të cilat ka ndërmarrë qeveria.

“Ndalim të qasjes dhe operimit në tregun financiar të Kosovës të individëve apo entiteteve sanksionuara. Ndalim udhëtimi në territorin e Kosovës, për individët e sanksionuar. Ndalim për individ dhe entitetin në republikën e Kosovës që të vë në dispozicion fonde, qoftë në mënyrë direkte apo indirekte, për individët dhe entitetet e sanksionuara”.

Qeveria ka marrë vendim që të ndaloj edhe transportin e mallrave nga çdo ndërmarrje e e transportit rus dhe bjellorus, në të gjitha rrugët e Kosovës, përfshirë dhe transitin.

“Përjashtimisht produkteve farmaceutike, bujqësore dhe ushqimore, duke përfshirë grurin dhe duke përfshirë transportin për qëllime humanitare”, specifikoi Bislimi.

Të gjithë ministrat e pranishëm në mbledhje, votuan pro këtij propozimi.

Qeveria e Kosovës

Sanksione ndaj Rusisë ishin vendosur edhe me 25 shkurt.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë se këto sanksione janë marrë duke iu bashkëngjitur vendeve partnerë, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE).

“Sot ditën po e fillojmë duke iu bashkëngjitur partnerëve tanë, në kundërpërgjigje ndaj agresionit ushtarak të Rusisë duke miratuar një pako sanksionesh ndaj saj. Nuk është hera e parë që Kosova i vë sanksione Federatës Ruse”, deklaroi ai para kabinetit qeveritar.

Po ashtu, Kurti kishte bërë me dije se kjo nuk është hera e parë që Kosova i vë sanksione Rusisë.

“Kjo Rusi që po shohim sot nuk është një Rusi e re dhe një paralajmërim se nuk dëshiron të jetë një Rusi e re. Prandaj, përgjigjja e botës perëndimore dhe demokratike duhet të jetë e unifikuar dhe e vendosur. Reagimi ynë i menjëhershëm dhe i parezervë ndaj pushtimit të Ukrainës nga Rusia duhet të lexohet edhe si mesazh i qartë i orientimit politik dhe diplomatik”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore