Lajme

Kosova pa simbole në Samitin e Sllovenisë


Presidenti i Qeverisë spanjolle, Pedro Sanchez.

E përditshmja spanjolle nga rajoni i Katalonjës, El Nacional, ka raportuar të mërkurën se presidenti i Qeverisë spanjolle, Pedro Sanchez, është duke marrë pjesë në samitin mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Slloveni.

Mirëpo, këtij vendi i është garantuar që në takime nuk do të ketë simbole shtetërore, pasi Spanja nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.

Në këtë samit, Kosova do të përfaqësohet nga kryeministri, Albin Kurti, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Ky samit i rregullt, është mbajtur vitin e kaluar përmes video-lidhjes, për shkak të pandemisë së Coronavirusit, ndërsa më 2018 në të nuk ka marrë pjesë ish-presidenti spanjoll, Mariano Rajoy, për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës.

Edhe në takimin përmes video-lidhjes, simbolet që identifikojnë Kosovën si shtet janë shmangur, dhe njësoj pritet të ndodhë edhe këtë vit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ai mbetet me shpresë se Unioni do të mbajë fjalën e dhënë për liberalizimin e vizave.

Sipas tij, Kosovës i është bërë një padrejtësi e madhe nga BE-ja për mos liberalizim të vizave.

“Komisioni Europian për të dytën herë rekomandoi liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe është bërë një padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve tonë që vuajtën shumë”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në samitin në mes të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor në Brdo të Sllovenis.

“Ne jemi me shpresë që ky samit do të bëjë BE-në të qëndrojë besnike në thelbin e saj dhe ky është zgjerimi si projekti më i rëndësishëm politik dhe proces historik i paqes dhe prosperitetit që nga Lufta e Dytë Botërore”.

Kryeqeveritari ka folur edhe për pesëshen mosnjohëse të BE-së, të cilat i ftoi t’i bashkohen vendeve të tjera të BE-së dhe ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Pjesëmarrësit pritet të flasin me emrat e tyre, pa specifikuar ndonjë pozicion, si president apo kryeministër.

Bashkë me Spanjën, edhe katër shtete tjera të Bashkimit Evropian nuk e njohin shtetësinë e Kosovës: Greqia, Rumania, Qiproja dhe Sllovakia.

Në prag të nisjes së samitit, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se e konsideron të rëndësishme që BE-ja ta qartësojë për vendet e Ballkanit Perëndimor se sa shumë kujdeset për to dhe se blloku evropian është partneri i tyre i preferuar.

Ajo ka thënë se përgjatë viteve është parë se sa kanë përfituar vendet që janë bërë pjesë e Bashkimit Evropian dhe se të njëjtën gjë e dëshiron edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Mendoj se Bashkimi Evropian përfiton nga procesi i zgjerimit dhe kjo është pjesa më e rëndësishme”, ka deklaruar mes tjerash ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore