Kosova

Kosova pa ambasador në Izrael tash e dy vjet – a është Turqia shkaku?


Më 1 shkurt të këtij viti bëhen dy vjet që kur Kosova dhe Izraeli kanë vendosur marrëdhënieve diplomatike, por në Jerusalem ende nuk është emëruar ambasadori i Kosovës nga Ministria e Punëve të Jashtme, ndërsa në Prishtinë tashmë është akredituar si ambasadore Tamar Ziv.

Ndërsa, Kosova vazhdon të përfaqësohet nga e ngarkuara me punë në ambasadën e Kosovës në Jerusalem, Ines Demiri.

Por, cila është arsyeja që s’ka ende ambasador në Jerusalem?

Për ish-ministren e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinajn, është e pa kuptimtë që MPJ ende nuk ka caktuar ambasador.

Haradinaj, e cila ishte ministre në kohën kur u vendosën marrëdhëniet diplomatike në mes të Kosovës dhe Izraelit, thotë për Albanian Post se nuk priste që Kosova të ngelte dy vjet pa ambasador fuqiplotë në Izrael.

“Është joserioze nga ana e Kosovës për të mos përmbushur obligimin e saj për nivelin e përfaqësimit, për të cilën jemi dakorduar bashkërisht”, tha Haradinaj.

Shikuar prapa, kur Kosova kishte vendosur të hapte ambasadën në Jerusalem, Turqia, për arsye historike, kishte dalë kundër.

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, në letrën që ia kishte dërguar kryeministrit Albin Kurti, pas zgjedhjes së këtij të fundit kryeministër, me datën 25 mars të vitit 2021, i kishte kërkuar që ta rishqyrtojë edhe vendimin për vendosjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

Megjithatë, ish-kryediplomatja kosovare, konsideron që nuk e di nëse arsyeja kryesore është reagimi i Turqisë, derisa potencon se nuk mund ta di prapavinë e mos-emërimit të ambasadorit.

Meliza Haradinaj, ish-ministre e Punëve të Jashtme

Por, tregon Haradinaj, se në kohën kur Izraeli njohu Kosovën dhe Kosova vendosi të ndiqte Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ta vendosur ambasadën në Jerusalem, ajo kishte udhëtuar në Turqi, në mënyrë që Ankaraja të mos jetë e pakënaqur.

“Njëjtë ia kam sqaruar edhe ministrit të Jashtëm Cavusoglu, se vendosja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem nuk është vendim i anshëm pro ose kundër një shteti apo një populli. Përkundrazi, Kosova është sjellur si shtet i përgjegjshëm dhe serioz duke respektuar rregullat e vendit pritës, i cili e përcakton vetë se ku dhe cili është kryeqyteti i tij, ku është selia e qeverisë së tij, dhe rrjedhimisht ku duhet ta vendosë ambasadën një shtet mik i Izraelit”.

Një situatë më komplekse, ka nënvizuar ish-ministrja, do të ishte nëse Kosova veç do të kishte mision diplomatik të vendosur në Tel Aviv dhe më pas ta bënte zhvendosjen.

Për Haradinajn, “Kosova në këtë rast është treguar e përgjegjshme në raport me shtetin njohës”.

“Së fundmi edhe Turqia ka ngritur nivelin e shkëmbimit diplomatik me Izraelin duke shkëmbyer ambasadorët përkatës, çështja e emërimit të Ambasadorit nga ana e Kosovës nuk do të ishte problem për të. Për më tepër, Kosova duhet ta emërojë sa më parë ambasadorin e saj, në mënyrë që të mos rrezikojë të duket si shtet i papërgjegjshëm e jo serioz në shoqërinë ndërkombëtare”.

Ndryshe nga Haradinaj, ish-ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama, pretendon se arsyeja kryesore pse Kosova s’ka ambasador në Izrael është për shkak të “politikës servile ndaj Turqisë”, për të cilën pohon se është e gabuar.

“Turqia ka interesat e veta rajonale dhe ka politikën e saj ndaj Izraelit; me të cilin së fundi po zhvillon takime, ndërsa Kosova si shtet i pavarur dhe sovran duhet te ketë politikën e saj të jashtme, të harmonizuar me interesat strategjike që është në radhë të parë bashkëpunimi me ShBA-në. Kosova duhet te balancojë edhe interesat me vendet e lindjes dhe Turqinë, dhe duhet të ketë parasysh se shumë vende arabe tashmë kanë raporte diplomatike me Izraelin”, shpjegoi Lama për AP.

Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, mendon se Izraeli është një shtet strategjik dhe me influencë të madhe dhe hebrenjtë në ShBA, apo kudo, kanë dhënë kontribut të madh për të ndalur dhunën e represionin e Serbisë në Kosovë.

“Prandaj, mos-përfaqësimi me ambasador, por vetëm me nivelin e një “charge affair” është një lloj nënvlerësimi siç lexohet në diplomaci”, shtoi ajo.

Ajo ka kritikuar Qeverinë për qasjen kundërshtuese që e ka pasur për disa projekte strategjike në raport me ShBA-të, ndërsa me Turqinë, sipas Lamës, ka një qasje tjetër.

“Mendoj se Turqia është aleat i Kosovës dhe duhen kultivuar raporte sa më të mira me këtë shtet, por në politiken e jashtme Kosova duhet t’i koordinojë interesat me Perëndimin”.

Për mos-emërimin e ambasadorit në Izrael, Albanian Post ka dërguar pyetje edhe në ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigjeje.

Alma Lama ish-ambsadore e Kosovës në Itali

Kur e njohu Izraeli – Kosovën?

Kosova dhe Izraeli u pajtuan që të vendosin marrëdhënie diplomatike me 4 shtator të vitit 2020. Kjo kishte ardhur si derivat i marrëveshjes së Uashingtonit; e nënshkruar nga kryeministri i Kosovës në atë kohë, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Marrëveshja ishte nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, në prani të ish-Presidentit amerikan, Donald Trump.

Pika e fundit e zotimeve që Kosova kishte pranuar në atë marrëveshje, thuhej: “Kosova (Prishtina) dhe Izraeli pajtohen të njohin njëri-tjetrin”.

Zyrtarizimi i formalizimit të marrëdhënieve diplomatike do të ndodhte me 1 shkurt të vitit 2021.

Përmes një ceremonie virtuale në platformën “Zoom”, ministrja në detyrë e punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj – Stublla dhe ministri i punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi, nënshkruan dokumentin ku thuhej se të dyja shtetet vendosin marrëdhënie diplomatike, me qëllim që të rrisin bashkëpunimin në shumë sfera.

Nga të dyja palët ishte konsideruar si ngjarje historike.

Izraeli është vendi i fundit që e ka njohur republikën e Kosovës duke e çuar në 117 numrin e njohjeve për Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore