Lajme

“Kosova në fillim të valës së re të infektimeve me Coronavirus”


Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku,

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, ka deklaruar se Kosova është në fillim të një vale të re të infektimeve me Coronavirus.

“Jemi në fillim të një vale të re infeksionesh me Coronavirus. Mirëpo kjo valë do të varet nga reagimi ynë si institucione por edhe nga reagimi i qytetarëve pasi kemi dy vite që përballemi me pandeminë dhe është mirë t’i shmangemi faktorëve të rrezikut”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Gexha-Bunjaku.

Ajo ka bërë të ditur se së shpejti do të diskutohet nevoja e shtimit të masave anti-COVID në Kosovë.

“Ne tashmë kemi caktuar takim me Komisionin Këshillëdhënës që i raporton Ministrit të Shëndetësisë, dhe më pas do të jetë takimi me Komitetin që jep rekomandime për vlerësimin e situatës me pandeminë në vend, dhe më pas sigurisht se do të merren masat e nevojshme”.

Ndërsa, sipas saj ardhja e mërgimtarëve mund të kenë ndikuar në rritjen e rasteve me Coronavirus.

Ministria e Shëndetësisë.

“Rritja e numrit të rasteve të infektimit ka mundur të ndodhë pasi në këtë kohë kemi pasur një shtim të popullsisë në Kosovë gjatë dy javëve të fundit. Kanë ardhur mërgimtarë nga vende që kanë një situatë tejet të rënduar me pandemi siç janë Zvicra dhe Gjermania”.

Në Kosovë, janë regjistruar të martën e katër janarit 70 raste më shumë me Coronavirus, krahasuar me një ditë më parë.

Por, Ministria e Shëndetësisë ka thënë se numrat janë grumbullim i mostrave të tri ditëve paraprake.

“Ju informojmë, se në kuadër të rasteve të raportuara sot, ka raste të akumuluara për 3 ditë nga një laborator privat. Gjithsej janë 1,006 testime dhe 39 raste SARS CoV-2 pozitiv të raportuara me vonesë. Kjo ka ndikuar në rritjen e numrit të rasteve të raportuara sot”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Më 26 dhjetor, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka lajmëruar se janë identifikuar 9 raste të variantit Omicron të SARS-COV-2 në Kosovë.

“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës ka bërë të ditur se, sot, më 26 dhjetor 2021, në laboratorin e Mikrobiologjisë molekulare, Departamenti i Mikrobiologjisë të IKShPK, janë testuar 22 mostra pozitive në SARS-CoV-2, të periudhës kohore 15-25 dhjetor 2021”.

Prej këtyre rasteve të identifikuara, 2 janë raste të ardhura nga ShBA, 2 nga Londra, 1 nga Franca, dhe 4 nga Mitrovica të cilët mohojnë të kenë udhëtuar jashtë vendit ose të kenë pasur kontakte me dikë nga jashtë, njofton IKSHPK.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore