Kosova

“Kosova mbetet aleate e SHBA-së”, thotë Kurti edhe pas deklaratave të Hovenier-it


Kryeministri Albin Kurti dhe ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier.

Pas deklaratës së ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Jeffrey Hovenier, se çështja e dinarit ka ndikuar në partneritetin e SHBA-së me Kosovën, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Kosova mbetet aleate e Amerikës.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘X’, Kurti u deklaruar pas takimit me senatorët amerikanë.

“Kënaqësi të takohemi me senatorët amerikanë Shaheen, Ricketts, Van Hollen e Chris Murphy. Fola për nevojën e llogaridhënies nga Serbia pas sulmit terrorist në Banjskë, një shqetësim që është i përbashkët. Kosova mbetet përkrahëse e demokracisë dhe aleate e SHBA-së”, ka shkruar ai.

Hovenier, shqetësimin e tij për partneritetin me Kosovën e ka shprehur përmes deklaratave të premten.

“O’Brien e bëri të qartë se nëse Qeveria e Kosovës nuk na konsideron partnere, as ne nuk do ta konsiderojmë të tillë”.

“Kam dëgjuar në intervista se kjo situatë nuk ka ndikuar në marrëdhëniet tona. Dua të jem i qartë, thjesht nuk është e vërtetë. Kjo situatë ka prekur partneritetin tonë. Çdo shpjegim tjetër është keqkuptim”, kishte deklaruar Hovenier. 

Edhe Misioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Organizatën për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSBE) e ka cilësuar si të njëanshme rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e Kosovës.

Përveç se e njëanshme, sipas Misionit të SHBA-ve në OSBE, ky rregullore afekton edhe “forcimin e demokracisë, integrimin ekonomik në BE dhe nxitjen e bashkëpunimin dhe respektin multi-etnik”.

“I bëjmë thirrje Kosovës që të shtyjë menjëherë zbatimin e këtij vendimi dhe palët e përfshira të kërkojnë zgjidhje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në deklaratën e Misionit të SHBA-ve në OSBE.

Ky mision është shprehur i shqetësuar edhe me veprimet, sipas tyre, të pakoordinuara, të Qeverisë së Kosovës në raport me mbylljen e institucioneve paralele serbe në territorin e Kosovës.

Në adresimin e Misionit të SHBA-ve në OSBE është kritikuar edhe Serbia, meqë sipas tyre, Beogradi zyrtar ka dështuar në kërkimin e përgjegjësisë nga individët të cilët ishin të përfshirë në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit.

Serbia, sipas Misionit të SHBA-ve në OSBE, duhet të mbajë përgjegjës autorët dhe organizatorët e sulmit të 24 shtatorit dhe të punojë KFOR-in për të siguruar që një sulm tjetër si ky të mos ndodhë më.

Hovenier: Jemi të frustruar me Kurtin, raportet tona veçse janë afektuar – kush thotë ndryshe, thjesht nuk po thotë të vërtetën

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore