Lajme

Kosova jashtë INTERPOL – mundësi për kriminelët dhe terroristët, zbulon raporti


Ilustrim

Në një raport të organizatës “Inciativa Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional (GIATOC)” të publikuar rishtas, janë spikatur problemet e Kosovës kundrejt luftimit të krimit transnacional, për shkak të mungesës së qasjes në informacionet dhe operacionet e përbashkëta të organeve apo agjencive kyçe të zbatimit të ligjit dhe luftimit të krimit.

Kosova është anëtare në vetëm dy prej nëntë agjencive kyçe të zbatimit të ligjit, çështjeve kufitare dhe gjyqësorit – Inciativa Ndërkombëtare e Koordinimit për Zbatimin e Ligjit (ILECU) dhe Inciativa Rajonale për Migrim, Azil dhe Refugjatë (MARRI) – ndërsa në këtë drejtim, janë spikatur edhe bllokadat e shteteve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Në raportin e GIATOC-së ndër të tjera është thënë se përpjekjet e dështuara për t’u bërë anëtare e organizatës kryesore në botë për luftimin e krimit – Organizata Ndërkombëtare e Policisë Kriminale (INTERPOL) – përveç se janë bllokuar nga shtetet mosnjohëse, përbëjnë edhe kërcënime ndaj sigurisë rajonale, për shkak se kriminelët i shfrytëzojnë sfidat politike të Kosovës.

“Rezultati paradoksal është se Kosova kritikohet për përpjekje të pamjaftueshme për të luftuar krimin e organizuar transnacional, por është pjesërisht e hendikepuar nga mungesa e qasjes në informacion dhe operacionet e përbashkëta të ndihmuara nga organizatat ndërkombëtare”.

E përderisa një shteti anëtar i duhen dy orë deri në dy ditë për të sinjalizuar diçka në bazën e të dhënave të INTERPOL-it, në Kosovë duhen nga nëntë deri në 12 muaj dhe ndonjëherë deri në dy vjet, thuhet ndër të tjera në raportin e GIATOC-së, ndërsa flitet edhe për shkëmbimin e ngadaltë të informacionit për shkak të mungesës së aksesit të drejtpërdrejtë në databazë.

“Ekziston gjithashtu një bazë e të dhënave e dedikuar vetëm për krimin e organizuar. Mungesa e qasjes së drejtpërdrejtë në të dhënat për personat e kërkuar – dhe po ashtu në dokumentet e vjedhura – ua mundëson kriminelëve, terroristëve dhe të arratisurve të hyjnë në Kosovë pa u zbuluar nga autoritetet kufitare”, thuhet në raportin e GIATOC-së.

Në raport thuhet se bashkëpunimi policor me Bosnje-Hercegovinën, Greqinë dhe Sllovakinë është i fortë dhe karakterizohet nga ekstradime të suksesshme; bashkëpunim i mirë ekziston edhe me  Rumaninë, ndërsa bashkëpunim i dobët është midis Spanjës dhe Kosovës, veçanërisht në lidhje me arrestimin e personave të kërkuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore