Lajme

Kosova ende pa vendim për vaksinimin e fëmijëve


Ilustrim

Ministria e Shëndetësisë e Qeverisë së Kosovës ende nuk ka dhënë dritën e gjelbër për vaksinimin e personave të moshës 12 deri 15 vjeç kundër koronavirusit. Siç thonë, kjo mundësi është duke u shqyrtuar, por një vendim i tillë do të merret në “momentin e duhur”.

Nga muaji gusht, Qeveria e Kosovës ka lejuar imunizimin kundër koronavirusit edhe për personat mbi 16 vjeç, ndërsa për grupmoshën 12-15 vjeç, vaksinimi bëhet me prioritet dhe sipas indikacioneve shëndetësore.

Profesoresha e Mikrobiologjisë, Gjyle Mulliqi-Osmani, drejtoreshë e laboratorit privat “Mikrobiologjia” në Prishtinë, thotë se vaksinimi i fëmijëve në Kosovë duhet të bëhet edhe për ata nën moshën 12 vjeç. Hulumtimet e deritashme, thotë ajo, tregojnë se nuk ka ndonjë rrezik të veçantë nëse moshat e reja vaksinohen.

“Gjithashtu, specifikat e Kosovës, numri i madh i nxënësve në një klasë, në kopshte, banimi me numër më të madh të anëtarëve në një shtëpi e shton edhe më tepër nevojën e vaksinimit të fëmijëve të moshës mbi 12 vjeç”, shprehet ajo.

Argument tjetër për vaksinimin e fëmijëve, thotë Mulliqi-Osmani, është sepse fëmijët janë bartës të infeksionit, kurse në shumicën e rasteve sëmundja tek ata mund të kalojë me simptoma më të lehta.

Edhe pediatri Ramush Bejiqi, thekson se Kosova duhet t’i zbatojë rekomandimet e organizatave ndërkombëtare të shëndetësisë. Kështu që qytetarët e Kosovës, sipas tij, nuk duhet të hezitojnë për imunizimin e fëmijëve të tyre.

“A kemi zgjidhje ne për këtë situatë? Unë mendoj se nuk kemi. Ne jemi pjesë e luftës globale kundër COVID-19 dhe problemeve që shkakton. Duke u bazuar në rekomandime shkencore dhe përvojë anë e mbanë botës, them se nëse fëmijët nuk kanë ndonjë sëmundje tjetër, e cila rrezikon sistemin imunitar të tyre dhe nuk kanë probleme tjera, nuk besoj se janë grup më shumë i rrezikuar se grupet tjera”, shprehet ai për REL.

Në Kosovë nga muaji mars i vitit 2021, kur ka filluar procesi i imunizimit, deri më tani, janë dhënë mbi 1.5 milionë doza të vaksinës. Prej tyre, mbi 720 mijë qytetarë janë vaksinuar me të dyja dozat kundër koronavirusit. Imunizimi bëhet për të gjithë personat mbi moshën 16 vjeç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore