Sport

Kosova dominon përsëri në renditjen botërore të xhudos


Pas përditësimit të fundit të ranglistës botërore të xhudos, sërish Kosova dominon me dy vendet e para.

Bëhet fjalë për kampionet olimpike, Distria Krasniqin dhe Nora Gjakovën, të cilat pozicionohen në vendin e parë të kategorive të tyre përkatëse.

Distria Krasniqi që fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike dhe u shpall së fundmi xhudistja më e mirë në botë deri në 48 kilogramë, është renditur e para me 5920 pikë.

Ndërsa në vendin e dytë të kësaj kategorie, gjendet xhudistja nga Mongolia, Munkhbat Urantsetseg, me 5250 pikë.

Në anën tjetër, Nora Gjakova që po ashtu fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike, është renditur e para në kategorinë deri në 57 kilogramë, duke arkëtuar 5880 pikë.

Në këtë kategori, Gjakova lë prapa në vendin e dytë kanadezen Jessica Klimkait, me 5830 pikë.

Kjo është një arritje e madhe e kampioneve kosovare, e cila do të jetë një shtytje e madhe për to, që të fillojnë garat në vitin e ardhshëm nga vendet e para në botë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore