Lajme

Kosova dhe Timori Lindor vendosin Marrëdhënie Diplomatike


Ilustrim

Kosova dhe Republika Demokratike e Timorit Lindor, të mërkurën e nëntë marsit, kanë nënshkrua një marrëveshje ku janë pajtuar për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, përmes një njoftimi për media, ku mes tjerash thuhet se marrëveshja në fjalë ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha të ndryshme.

“Marrëveshja u nënshkrua në New York, ne ambientet e Misionit Permanent të Republikës Demokratike të Timorit Lindor pranë OKB-së. Vendosja e Marrëdhënieve Diplomatike përkon me interesin e të dy shteteve për forcimin e mëtejmë të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”.

Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, MPJD thotë se Kosova vazhdon forcimin e subjektiviteti të saj ndërkombëtar.

“Në këtë kohë të sfidave globale dhe agresionit me të cilin po përballet bota demokratike, forcimi i pozitës sonë diplomatike anekënd botës është i një rëndësie të veçantë, prandaj Republika e Kosovës do të vazhdojë angazhimin e saj për të vendosur marrëdhënie diplomatike edhe me vende të tjera njohëse, për të forcuar marrëdhëniet bilaterale me interes të përbashkët”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Timori Lindor është shteti i 90-të që e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore