Lajme

Kosova dhe Britania me marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes


Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe Ministri i Forcave të Armatosura, James Heappey.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, është duke qëndruar në vizitë treditore në Mbretërinë e Bashkuar.

Përmes një shkrimi në Twitter nga Ministria e Mbrojtjes së Britanisë është bërë e ditur se me Kosovën kanë rënë dakord për një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, që mbulon fushat kryesore si trajnimi i përbashkët, angazhimi operacional dhe shkëmbimi i praktikave më të mira.

Marrëveshja është nënshkruar të martën nga Ministri i Forcave të Armatosura, James Heappey.

Lidhur me këtë Ministria e Mbrojtjes së Britanisë, u shpreh se Kosova është një partner i çmuar i mbrojtjes dhe Britania do të vazhdojë të punojë ngushtë për të siguruar stabilitet në Ballkanin Perëndimor.

“Ishte fantastike të nënshkruaj një marrëveshje historike sot, e cila na vë themelet për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin tonë”.

Po ashtu, gjatë kësaj vizite, Mehaj do të takohet me autoritetet më të larta në Drejtorinë e Politikave të Mbrojtjes të Ballkanit Perëndimor në Mbretërinë e Bashkuar dhe Drejtorinë e Integrimit Euro-Atlantik.

Ministri Mehaj, do të vizitojë Qendrën e Luftërave Tokësore, Qendrën e Trajnimit Taktik të Komandës dhe Shtabit, Shkollën e Armëve të Specializuara, Divizionin e Zbulimit dhe Taktikave, Qendrën e Koleksionit të Armëve të Këmbësorisë, ndër të cilat përveç takimeve me autoritetet udhëheqëse do të takoj edhe kadetët dhe oficerët tanë që janë aktualisht duke u trajnuar në këto qendra.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe Ministri i Forcave të Armatosura, James Heappey.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore