Lajme

Kosova anëtarësohet në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP)


Kosova është anëtarësuar në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP).

Këtë të mërkure, Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Kreshnik Ahmeti, i shoqëruar nga Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Andin Hoti, dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Holandës, z. Dren Doli, kanë dorëzuar instrumentet e aderimit të Republikës së Kosovës në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (International Commission on Missing Persons) me seli në Hagë, gjë e cila shënon hapin përfundimtar për anëtarësimin e Kosovës si anëtare në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.

“Në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Holandës për dorëzimin e instrumenteve për aderimin e Republikës së Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, zëvendësministri, Ahmeti, falënderoi Drejtorin e Divizionit të Traktateve, Jules van Eijndhoven për rolin konstruktiv të Qeverisë së Mbretërisë së Holandës, si shtet depozitar për konventën mbi themelimin e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Ndërkaq, aty potencohet se zëvendësministri Ahmeti ka falënderuar zyrtarët e pranishëm të ICMP për angazhimin dhe kontributin e tyre shembullor në Kosovë për më shumë se dy dekada.

“Ahmeti njëherësh përsëriti përkushtimin e Republikës së Kosovës në promovimin dhe avancimin e rolit të kësaj organizate të shprehur në takimin me Drejtoren Ekzekutive të Komisionit, Kathryne Bomberger, të mbajtur më 22 Maj të këtij viti, me ç‘rast Komisioni ishte njoftuar për hapat që Republika e Kosovës kishte ndërmarr për t’u bërë pjesë e kësaj organizate”.

Por çka është Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur?

Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) është një organizatë ndërqeveritare që trajton çështjen e personave të zhdukur që kanë ndodhur si rezultat i konflikteve të armatosura, shkeljeve e të drejtave të njeriut, apo fatkeqësive natyrore.

Komisioni ndihmon qeveritë e shteteve përkatëse në zhvarrosjen e varreve masive dhe identifikimin e ADN-së të personave të zhdukur. Po ashtu, ofron mbështetje për shoqatat dhe familjarët e personave të zhdukur dhe ndihmon në krijimin e strategjive dhe institucioneve për kërkimin e personave të zhdukur.

Selia e saj është në qytetin holandez, Hagë.

Në fund të vitit 2014, është nënshkruar një traktat, ku u themelua komisioni si një organizatë ndërkombëtare. Nënshkrues të këtij traktati janë pesë vende: Holanda, Mbretëria e Bashkuar, Suedia, Belgjika dhe Luksemburgu.

ICMP u krijua me urdhër të presidentit të Shteteve të Bashkuar të Amerikës, Bill Clinton, në vitin 1996, pra kohë kur ai ishte presidenti i ShBA-së. Kjo kishte ndodhur në samitin e G7 në Lyon të Francës.

Qëllimi i kësaj organizate ishte për të identifikuar çështjet e personave të zhdukur si rezultat i konflikteve të ndryshme që kishin të bënin me Bonjë e Hercegovinën, pas luftës atje, për luftën në Kroaci gjithashtu, dhe në përgjithësi për të gjithë ish-Republikën Federale të Jugosllavisë, ku përfshiheshin vitet 1991-1995.

Kjo organizatë fillimisht u kryesua ish-sekretari amerikan i shtetit gjatë kohës së presidentit Jimmy Carter, Cyrus Vance, i cili u pasua nga Senatori amerikan Bob Dole.

Ndërsa, Kryetari aktual i ICMP-së është Thomas Miller. Edhe pse me bazë në Sarajevë, Bosnje e Hercegovinë, ICMP është aktualisht e angazhuar në një zonë të gjerë operacionesh që përfshijnë ish-zonat e konfliktit në Ballkanin Perëndimor dhe Lindjen e Mesme, si dhe zonat e prekura nga fatkeqësitë natyrore, të tilla si rajonet e prekura nga cunami në Azinë Jugore dhe shtetit amerikan të Luizianës pas uraganit Katrina.

Pas kërkesës së qytetit të Nju Jorkut, ICMP kishte dërguar dy nga shkencëtarët e saj kryesorë të mjekësisë ligjore në ShBA, e gjithë kjo pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.

Në Ballkanin Perëndimor, ICMP është e lidhur ngushtë me tre objekte mjeko-ligjore, dy prej të cilave fokusohen në mbetjet njerëzore të lidhura me masakrën e Srebrenicës. Këto janë Projekti i Identifikimit të Podrinjes (PIP) dhe Qendra e Rishoqërimit të Lukavacit (LKRC).

ICMP ka zyra në Sarajevë (Programi i Ballkanit Perëndimor), Tiranë (Programi i Shqipërisë), Bagdad dhe Arbil (Programi i Irakut), Bejrut (Programi Siria-MENA), Bogota (Programi i Kolumbisë) dhe Nuevo Leon (Programi i Meksikës), si  dhe selinë qendrore në Hagë, Holandë.

Deri në fund të vitit 2018, përpjekjet e ICMP-së kishin rezultuar në identifikimin e 20 mijë e 473 personave me ndihmën e ADN-së.

Ndryshe, në luftën e fundit në Kosovë, janë të zhdukur më shumë se 1600 persona.

Familjarët ende janë duke pritur përgjigje për fatin e tyre dhe vendndodhjen e të dashurve të tyre.

Ndërsa, është arritur edhe një Marrëveshje për të zhdukurit e luftës së fundit në Kosovë në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë me 4 prill.

Pjesa më e madhe e marrëveshjes ishte gati prej kohësh, por nënshkrimin e bllokonte terminologjia që duhej të përdorej kur bëhej fjalë për të zhdukurit.

Çka është Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), ku Kosova planifikon të anëtarësohet?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore