Kosova

Kosnett: Shërbimi në Kosovë ka qenë “nder i madh”


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë në largim, Philip Kosnett.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett përmes një postimi në Twitter ka bërë të ditur se do të largohet nga Kosova, ndërsa në vend të tij do të jetë zëvendësambasadori Nick Giacobbe, i ngarkuar me punë deri në ardhjen e ambasadorit të ardhshëm.

Kosnett shkruan se të qenët ambasador i Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka qenë një “nder i madh”.

“Duke qenë ambasador i SHBA-ve në Kosovë ka qenë një nder i jashtëzakonshëm”, tha ai.

Kosnett shtoi se, “unë largohem me bindjen në aftësinë e popullit të Kosovës për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë, duke e ditur se shoku dhe zëvendësambasadori Nick Giacobbe do të jetë i ngarkuar me punë deri në ardhjen e Ambasadorit të ardhshëm”.

 

Ndërkaq, më 13 shtator, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në takim përshëndetës me  ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Philip S. Kosnett, këtë të fundit e ka dekoruar me urdhrin ‘”Dr. Ibrahim Rugova”, për kontributin e dhënë në ndërtimin e paqes dhe zhvillimit të demokracisë në vend.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në takim përshëndetës me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Philip S. Kosnett

Philip S. Kosnett u nominua nga ish- presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump në korrik të vitit 2018 dhe u konfirmua nga Senati në shtator për të shërbyer si ambasadori i pestë në Republikën e Kosovës.

Ai e dha betimin si ambasador më 27 nëntor 2018 në Uashington dhe ia dorëzoi letrat kredenciale ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit më 3 dhjetor.

Ai ka shërbyer si zëvendës-shef i Misionit në Uzbekistan dhe në Islandë si dhe në pozita të zyrtarit politik, politik-ushtarak dhe ekonomik-komercial në Afganistan, Irak, Kosovë, Holandë, Japoni dhe Turqi.

Pozitat në Uashington përfshijnë shërbim në byronë e Departamentit të Shtetit për çështje evropiane, në byronë kundër terrorizmit, byronë politike-ushtarake, byronë për inteligjencë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka nominuar për ambasador të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier.

Ai është një diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan që ka qenë pjesë e stafit të të Dërguarit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore