Lajme

Kosnett dhe Godfrey: SHBA-ve më në fund i ka humbur durimi me Serbinë, por Kosova të kujdeset mos ta “trazojë ariun” në veri


Philip Kosnett

Ish-ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë dhe Serbi – Philip Kosnett dhe Anthony Godfrey – në një diskutim të përbashkët të publikuar nga Qendra për Analiza të Politikave Evropiane (CEPA), kanë komentuar rrjedhën e tensionuar në raportet Kosovë-Serbi dhe ngjarjet fatale të 24 shtatorit në fshatin Banjë të Zveçanit në pjesën veriore të Kosovës.

Top diplomatët amerikanë kanë theksuar se “politikanët etnonacionalistë” në të dy anët e kufirit kanë fituar zgjedhjet duke udhëhequr “fushata populiste” me premtime për të vendosur kontroll të plotë mbi të gjithë Kosovën ose për të krijuar një “enklavë etnike” të serbëve në Kosovë, ku ata mund të injorojnë ligjet e vendit, me kusht që të tregojnë “besnikëri skllavëruese” ndaj Serbisë.

Ish-ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë, Philip Kosnett, ka thënë se “Uashingtonit dhe aleatëve të tij më në fund i ka mbaruar durimi me Beogradin” dhe presidentin nacionalist serb Aleksandër Vuçiç, posaçërisht pas sulmit terrorist nën udhëheqjen e kriminelit serb të sanksionuar nga SHBA-të Millan Radoiçiç dhe dislokimit të forcave ushtarake serbe përgjatë vijës kufitare me Kosovës.

Anthony Godfrey

“Përgjigja e Serbisë ishte klasike për Vuçiçin – duke luajtur me ndjenjat nacionaliste, ai ka shpallur një ditë zie për luftëtarët e martirizuar serbë, së bashku me përpjekjet për ta portretizuar veten me ndikim të moderuar në Perëndim, duke premtuar një hetim”, ka theksuar Kosnett.

Nga ana tjetër, ish-ambasadori amerikan në Beograd, Anthony Godfrey, ka theksuar se edhe kryeministri kosovar Albin Kurti duke qenë nën ombrellën e sigurisë të Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR) shpesh bënë “lëvizje provokuese” ndaj serbëve në veri “pa frikë reale se Serbia do të përgjigjet”, derisa ka shtuar se garancat e sigurisë veçse forcojnë populizmin e tij.

“Garancitë e sigurisë për Kosovën do të bënin pak, përveç fuqizimit të mëtejshëm të politikanëve populistë (sikur Kurti) që të përpiqen të vendosin kontrollin shtetëror mbi të gjithë atë që SHBA-të e njohin si territor të Republikës së Kosovës […] Derisa të jetë më e përgatitur për të qëndruar më vete, në aspektin ekonomik dhe të sigurisë, duhet të kujdeset që të mos e ‘trazojë ariun’ në veri”.

E detyrë parësore pas ngjarjeve në pjesën veriore të Kosovës, sipas ish-ambasadorit amerikan në Prishtinë, duhet të jetë “rimendimi” i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nga Bashkimi Evropian (BE) dhe SHBA-të. Ai ka vlerësuar që nëse  BE-ja dhe SHBA-të duan ta “shesin” ndonjë version të këtij mekanizmi, do t’u duhet të jenë bindës se nuk do të kërcënojë Kosovën.

“Kosovarët kanë frikë se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe mund të përbëjë një kërcënim të brendshëm të sigurisë dhe të parashikojë ndarje de facto. Shumë e krahasojnë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe me Republikën Sërpska ultranacionaliste të Bosnjë-Hercegovinës”, ka kujtuar ndër të tjera Kosnett.

Ish-ambasadori amerikan në Beograd pajtohet me homologun e tij për një çështje: Serbia s’do të lejohet të nxisë “rebelim të armatosur” ose të përdorë bashkëkombësit etnonacionalistë për të ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë, Bosnje-Hercegovinë apo Mal të Zi, derisa ka theksuar se ndërmjetësit e dialogut duhet të fokusohen në ndërvarësinë ekonomike.

“Por unë do të përkrahja përpjekjen për t’u kthyer në status quo ante edhe nëse kjo do të thotë diplomaci e pafundme për miqtë tanë Miro Lajçak dhe Gabriel Escobar, ndërjmetësues të BE-së dhe SHBA-ve. Të ndihmosh Serbinë dhe Kosovën të rrisin ekonomitë e tyre deri në një pikë ku ndërvarësia e bën konfliktin më pak tërheqës duket më e besueshme dhe më pak e kushtueshme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore