Lajme

Korea e Jugut: Ish-presidentja u shpall fajtore për korrupsion, Presidenti fal Park-un mes garës së ngushtë presidenciale


Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, ka falur ish-presidenten Park Geun-hye, e cila ishte në burg, pasi u dënua për korrupsion.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Drejtësisë, të premten e 24 dhjetorit, mes një gare të ngushtë presidenciale.

69-vjeçarja u bë udhëheqësja e parë e zgjedhur në mënyrë demokratike e Koresë së Jugut që u përjashtua nga detyra kur Gjykata Kushtetuese miratoi një votim parlamentar në vitin 2017, duke e shpallur fajtore për një skandal që çoi gjithashtu në burg krerët e dy konglomerateve, përfshirë Samsung.

Ajo u rrëzua pasi u shpall fajtore për bashkëpunim me një mik për të marrë dhjetëra miliarda fitime nga konglomeratet kryesore, kryesisht për të financuar familjen e mikut të saj dhe fondacionet jofitimprurëse.

Ish-presidentja e Koresë së Jugut Park Geun-hye.

Në janar, Gjykata e Lartë e Koresë së Jugut la në fuqi një dënim me 20 vjet burg për Park-un për akuzat e korrupsionit që finalizuan rrëzimin e saj, duke i dhënë fund procesit ligjor.

Avokati i Park-ut, Yoo Yeong-ha, tha se ajo kishte kërkuar falje për shkaktimin e shqetësimit te publiku dhe falënderoi Moon për marrjen e një vendimi të vështirë.

Zyra e Moon tha se falja e Park-ut kishte për qëllim “të kapërcejë historinë fatkeqe të së kaluarës, të promovojë unitetin e njerëzve dhe të bashkojë duart për të ardhmen”.

“Shpresoj që kjo do të ofrojë një shans për të shkuar përtej dallimeve në mendime, të mirat dhe të këqijat, dhe të hapë një epokë të re integrimi dhe uniteti”, e citoi atë të thoshte zëdhënësja e tij.

Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae

Moon më parë ishte zotuar se nuk do t’i falte ata që ishin dënuar për korrupsion. Por shumë mbështetës dhe politikanë të partisë kryesore opozitare konservatore, Pushteti i Popullit, kanë bërë thirrje për faljen e Park-ut përpara zgjedhjeve presidenciale të marsit, duke përmendur përkeqësimin e shëndetit të saj dhe thellimin e grindjeve politike.

Ligjvënësit e opozitës kanë thënë se Park-u ka përjetuar probleme shëndetësore gjatë qëndrimit në burg, duke përfshirë edhe operacionin në shpatull.

Burgimi i Park-ut ishte bërë një patate e nxehtë politike që ndau vendin, me konservatorët që kishin tubime javore në qendër të Seulit, të cilët kërkonin lirimin e saj dhe duke kritikuar Moon-in, derisa u shfaq pandemia COVID-19.

Mbështetësit e ish-presidentes së Koresë së Jugut Park Geun-hye shtrihen në rrugë gjatë një mitingu për të bërë thirrje për lirimin e saj pranë Gjykatës Qendrore të Qarkut të Seulit në Seul, Koreja e Jugut, e premte, 6 prill 2018

Një sondazh nga “Gallup”, në nëntor tregoi se 48% e të anketuarve ishin kundër faljes së Park dhe Lee, por shifrat kanë rënë nga rreth 60% në fillim të këtij viti.

Flamuri i Partisë Demokratike në pushtet të Moon-it, Lee Jae-myung, dhe kandidati i Pushtetit të Popullit, Yoon Suk-yeol, shihen qafë e qafë në sondazhet e fundit.

Lee tha se ai e kuptonte “agoninë” e Moon dhe respektonte vendimin e tij për unitetin kombëtar, por Park duhet të kërkojë një falje të sinqertë për skandalin.

Yoon tha se falja e Park ishte e mirëpritur, edhe pse vonë, por nuk shtjelloi pyetjet e gazetarëve nëse ajo do të rifillojë aktivitetin politik.

Paraardhësi i Park-ut, gjithashtu, konservatori Lee Myung-bak, i cili gjithashtu është i burgosur për akuza korrupsioni, nuk u fal.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore