Shqipëria

Koordinatori amerikan kundër korrupsionit mbërrin në Tiranë, takim me Wisner


Koordinatori amerikan Kundër Korrupsionit Global, Richard Nephew, ka mbërritur në Tiranë këtë të enjte të 20 qershorit.

Kështu ka bërë me dije ambasada amerikane në vend, e cila ka publikuar detaje nga takimi i mbajtur mes Nephew dhe të ngarkuarit me detyre, David Wisner.

Nephew po viziton Shqipërinë për të riafirmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për reformat në drejtësi, përpjekjet kundër korrupsionit dhe qeverisjen e mirë.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, ai do të takohet me drejtues të drejtësisë dhe shoqërisë civile shqiptare, si dhe me zyrtarë publikë.

Vizita e tij, do të nënvizojë angazhimin e vazhdueshëm të SHBA-ve për të luftuar korrupsionin në Ballkanin Perëndimor, për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të adresuar sfidat e vazhdueshme të përbashkëta.

Më 16-17 qershor, Koordinatori Nephew vizitoi Podgoricën, Malin e Zi për t’u takuar me zyrtarë qeveritarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Atje theksoi se reformat kundër korrupsionit janë sfiduese, politikisht komplekse dhe të kushtueshme, por thelbësore për integrimin e Malit të Zi në BE.

Gjithashtu nënvizoi që si politikanët ashtu edhe qytetarët të qëndrojnë të paanshëm, duke i dhënë përparësi interesit publik dhe duke qëndruar të fokusuar në luftën kundër korrupsionit.

“U bëj thirrje politikanëve dhe qytetarëve të bashkohen në luftën kundër korrupsionit, të demonstrojnë një përkushtim për t’i dhënë përparësi interesit publik së bashku. Dhe u bëj thirrje liderëve politikë të qëndrojnë të fokusuar në ruajtjen e shtetit ligjor. Përcaktoni shpërqendrimet politike, qëndroni të paanshëm dhe vendosni një themel të fortë për prosperitetin e vendit”, tha ai.

Në datat 18-19 qershor, Nephew iu bashkua seancës plenares hapëse të Konferencës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, si dhe sesioneve të tjera zyrtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore