Shqipëria

Kontrollet rrugore, 14 arrestime dhe mbi 1 mijë të ndëshkuar me masë administrative


Në vijim të kontrolleve rrugore, policia e shtetit gjatë 24 orëve ka arrestuar 14 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët shtatë për drejtim mjeti pa patentë dhe shtatë për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Nga a ana e policisë u pezulluan 42 leje drejtimi, nga të cilat 24 për shpejtësi mbi normat e lejuara (deri në 178 km/orë në autostradën Levan-Vlorë), 16 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe dy për qarkullim në sens të kundërt.

Gjithashtu janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 1 mijë e 311 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës.

Nga ana tjetër Policia e Kukësit ka evidentuar dhe më pas ka shoqëruar në Komisariat, shtetasi B. M., nga Hasi, i cili kishte publikuar në rrjetet sociale, foto me automjetin e tij të ndaluar në brendësi të tunelit të Kalimashit.

Veprimi i tij u pa nga policia si shkak aksidenti. Ky shtetas u ndëshkua me masë administrative prej 8 mijë lekëve të rinj.

Ndërkohë Policia e Shtetit apelon të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve: “Mos abuzoni me rregullat e qarkullimit rrugor pasi do përballeni me sanksionet që parashikon Kodi Rrugor”.

Në të gjitha akset nacionale nga Rruga e Kombit deri në Sarandë, nga Korça në Berat, si dhe në qendrat kryesore urbane, ka patrulla të Policisë Rrugore me radarë, alkooltestues, dronë, kamera e aparate fotografike.

Në përfundim të njoftimit, Policia e Shtetit ka ftuar qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Digjital, çdo shkelje të Kodit Rrugor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore