Shqipëria

Nis puna e komisioneve zgjedhore pa PD-në, PS dhe PL marrin materialet zgjedhore


Komisionet Zonale për Administrimin e Zgjedhjeve vendore janë konstituar.

Këtë të martë të 14 shkurtit, KZAZ-të nisën punë në të gjithë vendin, por për herë të parë Partia Demokratike ka mbetur jashtë.

KZAZ-të nisën punën vetëm me anëtarët e Partisë Socialiste, Partisë së Lirisë dhe Partisë Socialdemokrate, të cilët morën materialet zgjedhore.

Kjo pasi KZAZ-të mund të nisin punën edhe pa anëtarët e PD-së, pasi kuorumi plotësohet edhe me katër anëtarë.

Në disa KZAZ ka pesë anëtarë, ndërsa në disa të tjera ku shumicën e ka Partia Demokratike, kuorumi plotësohet me anëtarin nga Partia e Lirisë.

Sakaq, PD-ja nuk është pjesë e KZAZ-vë ndonëse të dyja palët brenda selisë blu kanë depozituar listat me kandidatë.

Kryekomisoneri Ilirjan Celibashi zgjodhi që ‘të qëndrojë larg luftës’ së demokratëve duke mos emëruar asnjë prej listave të depozituara deri në zgjidhjen e ngërçit mes palëve.

Ai ka thënë se sapo të vendoset kush e drejton partinë, do të merret edhe vendimi për anëtarët e KZAZ-ve.

Seanca më 3 mars në Gjykatën e Apelit për vulën e PD-së pritet që t’i japë një zgjidhje edhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që në bazë të vendimit se kujt do t’i jepet partia do merret edhe miratimi për anëtarët e depozituar nga dy kapet blu.

Në rast se nuk do të ketë një vendim nga Apeli, KQZ do t’i drejtohet regjistrit të partive politike. Nëse Apeli nuk merr vendimin, KQZ më 7 mars do të miratojë anëtarët e KZAZ-ve.

Celibashi ka shpjeguar se kjo mund të shtyhet deri në 7 mars, ditën kur është edhe afati i fundit për regjistrimin e subjekteve politike.

Në mungesë të vendimit të Apelit, kjo skemë do të ndiqet edhe për të regjistruar një prej grupeve nën siglën zyrtare të PD-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore