Sport

Konjusha: Gati për Superkupën, shpresoj në paraqitje të mira


Më 4 dhe 5 tetor në Prishtinë do të zhvillohet Superkupa e Femrave. Në gjysmëfinale përballen Penza-Vëllaznimi dhe Prishtina-Bashkimi.

Edicionin e kaluar, Superkupën e fitoi skuadra e Bashkimit dhe do të mundohet ta përsëritë këtë sukses. Basketbollistja e Bashkimit, Irma Konjusha, ka folur për synimet.

“Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë deri më tani me trajnerin e ri. Kemi bërë disa ndryshime të mëdha në ekip, përforcime të rëndësishme, qofshin ato vendore dhe të huaja dhe mund të them që jemi kompletuar si ekip dhe jemi gati për edicionin e ri”, u shpreh Konjusha për faqen zyrtare të FBK-së.

“Natyrisht, synimet janë që të luftojmë për trofe, por mbi të gjitha të kemi paraqitje të mira si ekip. Mendoj se jemi gati për turneun e Superkupës dhe duam të kemi një fillim të mirë”.

Ajo flet edhe për përballjen ndaj ish-skuadrës së saj.

“Natyrisht nuk do të jetë e lehtë, sepse respektojmë të gjitha skuadrat e tjera. Sigurisht, synim mbetet trofeu i Superkupës për ta nisur edicionin e ri me këmbë të mbarë, por mbetet të shihet”, shtoi Konjusha.

“Më e rëndësishmja është se të gjitha ekipet janë përforcuar dhe na pret një edicion interesant, jo vetëm në kampionatin tonë, por edhe me pjesëmarrjen në Ligën Unike”, theksoi më tej basketbollistja.

Sfida Prishtina-Bashkimi zhvillohet më 4 tetor nga ora 19:00, ndërsa finalja zhvillohet më 5 tetor nga ora 19:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore