Lajme

Konjufca takon kongresistin Aderholt, dialogu Kosovë-Serbi pjesë e bisedës


Glauk Konjufca dhe Robert Aderholt

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po merr pjesë në Samitin për Demokraci, është takuar me kongresistin republikan, Robert Aderholt, me të cilin ka biseduar ndër të tjera për dialogun me Serbinë.

“Isha i nderuar, që në vazhdën e takimeve që po zhvilloj këtë javë në Uashington, të takohem edhe me Kongresistin nga radhët e Partisë Republikane, njëherit anëtar i Grupit të Miqësisë për Çështje Shqiptare në kuadër të Kongresit, Robert Aderholt”, shkroi Konjufca në Facebook.

Ndërkaq, kreu i Kuvendit njoftoi se me kongresistin amerikan kanë biseduar për përkushtimin e Kosovës sa i përket “agjendës euroatlantike të Kosovës, avancimin e procesit të njohjeve ndërkombëtare dhe dialogun me Serbinë”.

“Shkëmbyem pikëpamjet tona lidhur me zhvillimet aktuale politike dhe situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon”, tha ai.

Po ashtu, Konjufca potencoi se subjekt i diskutimit ka qenë edhe rëndësia e intensifikimit të bashkëpunimit mes Kosovës e ShBA-ve në fusha të interesit të dyanshëm.

Ndryshe, në margjina të Samitit të Dytë për Demokraci që po mbahet në Uashington, kryekuvendari ka zhvilluar takime, siç i ka quajtura ai të frytshme, me kryetarë të parlamenteve, deputetë, zyrtarë të lartë dhe personalitete nga Kenia, Gambia, Armenia, Gana, Zambia, Liberia dhe Kosta Rika, disa prej tyre shtete jonjohëse të Republikës.

“Potencova progresin demokratik të Republikës së Kosovës dhe përkushtimin institucional në rrugën tonë drejt anëtarësimit në Bashkimit Evropian dhe në NATO. Me përfaqësues të këtyre shteteve biseduam për rolin e parlamenteve tona në ndërtim dhe intensifikim të marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët”.\

Konjufca gjatë takimit ka theksuar përkushtimin e Kosovës për kultivimin e miqësisë, zhvillimin e modaliteteve për bashkëpunim në të ardhmen dhe avancimin e raporteve ndërshtetërore me qëllim forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

Në mesin e shteteve, përfaqësuesit e të cilëve i ka takuar Konjufca, janë Kenia, Armenia dhe Zambia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore