Kosova

Konjufca për vendimin e Gjykatës Kushtetuese: Ka dilema lidhur me mënyrën e shkarkimit e anëtarëve të KPMSHCK-së


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pas shfuqizimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shkarkimin e pesë anëtarëve të anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, ka thënë se ka pasur dilema lidhur me mënyrën se si janë shkarkuar të njëjtit.

”Ata duhet ta kenë njëfarë relacioni me legjislativin, e me mënyrën si janë shkarkuar ata, ka pasur dilema edhe në mesin e deputetëve tonë, duke më përfshirë edhe mua”, është shprehur Konjufca në KlanKosova.

”Meqenëse aty ishte argumenti që janë të ngarkuar një nga një dhe të zgjedhur si të tillë, pra: A duhet të shkarkohen në mënyrë kolektive?”, shtoi ai.

Sipas tij, ky vendim nuk është bërë për ndikime negative apo siç thotë vetë Konjufca, “motivacioni qendror nuk ka qenë siç thuhet kapja e institucioneve”.

Po ashtu, ai ka theksuar se gjendja e vërtetë e shërbimi civil të Kosovës nuk është e mirë.

“Mendoj që ka pasur shumë defekte në të kaluarën, dhe deputetët mund të motivohen nga ajo që duhet ndërmarrë diçka për ta përmirësuar atë gjendje”.

Ilustrim

”Ajo gjendje natyrisht nuk përmirësohet duke thënë se deri tash paskan qenë të një partie e tash duhet t’i qesim të tjetrës. Nëse e shikon se cilat kanë qenë në mënyrë konstante dy kritikat qendrore të Raportit të Progresit, ka qenë Reforma e Administratës një dhe Mungesa e profesionalizmit në Administratë dhe Cenueshmëria e Gjyqësorit prej ndërhyrjeve politike”.

”Këto dyja kanë qenë shtyllat e kritikës së Raportit të Progresit dhe urgjenca që e ka Kosova”.

Ndërkaq, Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka thënë se Gjykata Kushtetuese “ia dha përgjigjen e duhur deputetëve të cilët me votën e tyre shkarkuan jashtëligjshëm pesë anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikqyrës për Shërbimin Civil, duke konstatuar se vendimi ishte kundër kushtetues”.

Ajo përmes një postimi në Facebook, ka theksuar se tendenca e pushtetit aktual që të ndërhyjë në institucione të pavarura është përpjekje që me brutalitet të cenohen institucione të pavarura.

“Prandaj vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese është fitore e demokracisë dhe vendim në mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë”.

Blerta Deliu-Kodra, deputete e PDK-së

“Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës, është institucion i pavarur që për mision ka mbrojtjen e nëpunësve civil dhe të drejtave të tyre. Nga sot nëpunësit dhe zyrtarët publikë janë më të sigurt për të mos u nënshtruar përballë çfarëdo lloj presioni”.

Ndërkohë, në një njoftim të lëshuar për media, Kushtetuesja ka treguar se e kanë cilësuar të pranueshme kërkesën e parashtruar nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri dhe dhjetë deputetë të tjerë.

“Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të kontestuar të Kuvendit, Gjykata njëzëri vendosi që (i) kërkesa është e pranueshme; (ii) Vendimi [nr.08/V-029] i 30 qershorit 2021 i Kuvendit nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës; (iii) të shfuqizojë Vendimin e lartcekur; (iv)”.

Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të kontestuar të Kuvendit, “Gjykata njëzëri vendosi që kërkesa është e pranueshme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore