Lajme

Konjufca: Pa shtetet aleate rruga e shtetit tonë do të ishte e pamundur


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë fjalimit të tij në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për nder të 16 vjetorit të pavarësisë së Kosovës ka falënderuar shtetet aleate me theks të veçantë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, pa të cilët, sipas tij “rruga e shtetit tonë do të ishte e pamundur”.

“E falënderojmë edhe NATO-n që e ndali gjenocidin e Serbisë mbi popullin tonë, por i falënderojmë edhe të gjitha shtetet, të gjitha vendet që e njohën pavarësinë e Kosovës”, tha fillimisht Konjufca.

Sipas tij u deshën vite të panumërta si dhe përpjekjeje e brezave të shumta me mund kolosal e sakrifica që kulmuan me pavarësinë e Kosovës.

“17 shkurti është dita e frymëzimit prandaj duhet të jetë ditë përkuljesh para atyre që dhanë më së shumti, përkulemi para atyre që dhanë jetën për liri. Përkulemi edhe para vëllezërve dhe motrave që u vranë veç pse ishin shqiptarë”, ka potencuar Konjufca.

Konjufca gjatë fjalimit të tij ka përmendur edhe komandantin legjendar, Adem Jasharin, ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugovën dhe veprimtarin politik, Adem Demaçin.

“Në themelin e shtetit tonë qëndron heroizmi i Jasharajve, urtësia e Ibrahim Rugovës e ideali i Adem Demaçit. I kemi në zemër të gjithë ata që nuk iu tremben burgjeve, ata të cilët nëpër demonstrata i dolën përballë tankeve e policëve të Serbisë. Minatorët e studentët, profesorët , intelektualët e akademikët, aktivistët e veprimtarët politik të cilët nuk kursyen asgjë për Republikën e Kosovës”, ka shtuar ai.

I pari i kuvendit ka kujtuar gjithashtu edhe deputetët të cilët kanë nënshkruar Kushtetutën e 2 korrikut.

“I kujtojmë po ashtu deputetët e 02 korrikut dhe 07 shtatorit, por mbi të gjitha iu përkulemi popullit tonë të pa mposhtur i cili vjen nga thellësitë e lashtësitë, gjithmonë në tokën e vetë dhe me dashurinë e tij të pa epur për liri”.

Liria, sipas Konjufcës, ka ardhur me shumë mundë e durim deri “kur bota demokratike u bind se kemi të drejtë”.

“Kur bota e pa se ne si popull më parë e japim jetën për liri sesa nënshtrohemi para Serbisë, kur bota e kuptoj se lufta jonë çlirimtare është e pastër na ndihmoi për ta larguar okupatorin, durimin e  kemi për të mos u nënshtruar dhe për të mos gabuar kurse guximin e kemi për të vepruar kur është koha e çlirimit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore