Lajme

Konjufca dhe Von Cramon diskutojnë për përshpejtimin e procesit të Kosovës drejt integrimit evropian


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca të premten është takuar me raportuesen e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon me të cilën ka diskutuar për proceset aktuale politike.

Takimi është bërë i ditur përmes një komunikate për media.

“Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim Raportuesen e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon Taubadel, me të cilin diskutoi për proceset aktuale politike në vendin tonë dhe çështjet që lidhen me perspektivën evropiane të Kosovës”.

Në takim është thënë se Cramon dhe Konjufca, kanë diskutuar për situatën aktuale të sigurisë në vend dhe rajon, e po ashtu edhe për rëndësinë e bashkëpunimit për të garantuar përshpejtimin e procesit të integrimit evropian.

“Kryetari Konjufca e njoftoi raportuesen von Cramon për angazhimet e institucioneve të Republikës së Kosovës në përmbushjen e obligimeve që lidhen me këtë proces, ndërsa shprehu kënaqësinë që tashmë edhe qytetarët e Kosovës gëzojnë të drejtën e lirisë së lëvizjes në zonën Schengen”.

Liberalizimi i vizave është një moment historik dhe shumë i rëndësishëm për integrimin evropian të Kosovës, kishte thënë në një intervistë për Albanian Post, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

Ajo ishte shprehur e lumtur që më në fund, pas më shumë se një dekadë pritjeje, qytetarët e Kosovës s’do ta kenë më barrën burokratike e të tejzgjatur të pajisjes me vizë për të udhëtuar drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Sa i përket kritikave se hapja e kufirit rrezikon të inkurajojë emigracionin ose të hapë rrugën drejt migrimit të paligjshëm, duke marrë parasysh situatën socio-politike në Kosovë, ajo kishte deklaruar se i takon institucioneve të punojnë në këtë drejtim.

Një element tjetër me rëndësi që del nga ky proces, sipas von Cramon, ishte fakti se liberalizimi i vizave mund të jetë me të vërtetë një nxitje për serbët e Kosovës që të pajisen me dokumente të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore