Lajme

Kongresmeni amerikan Ritchie Torres në Kosovë, Konjufca i uron mirëseardhje


Ritchie Torres dhe Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i ka uruar mirëseardhje kongresmenit amerikan Ritchie Torres i cili po qëndron për një vizitë në Kosovë.

Përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, Konjofca bëri të ditur se ka pritur në takim Torres’in.

“Kongresmeni Torres është një mik i madh i shtetit tonë”, theksoi Konjufca duke kujtuar fjalimin e këtij të fundit në në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Kosova ka ndërtuar një demokraci në rritje, në zemrën e së cilës SHBA-ja e ka vend të veçantë. SHBA-ja nuk ka mik më të mirë në Evropën Jugore se Kosova dhe Kosova nuk mund të ketë mik më të mirë në botë se SHBA-në”, kishte deklaruar Torren në Kongres.

Ritchie Torres

Ndryshe, lajmin për vizitën e kongresmenit amerikan e kishte bërë të ditur Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili po qëndron në një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kongresmeni Torres do të jetë këtë javë për vizitë në Kosovë. Përveçse do të gjej një vend të bukur me histori plot, do të gjej dhe një popull mirënjohës për rolin e ShBA-ve në Kosovë”, kishte shkruar Abdixhiku në Facebook.

Ndërkaq, kongresmeni amerikan vazhdimisht ka kërkuar që Kosova të anëtarësohet në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Madje, ai i kishte shkruar personalisht edhe presidentit të ShBA-ve, Joe Biden, ku i kishte kërkuar që ta trajtoj urgjentisht këtë çështje.

“Si liderë të botës së lirë, ShBA-të duhet të mbështesin aleatët e tyre. Nuk kemi aleat më të madh në Evropën Juglindore se sa Kosovën dhe unë shqetësohem se pa anëtarësim në NATO, Kosova mund të jetë e hapur ndaj sulmeve të Serbisë dhe Rusisë”.

Gjithashtu, Torres me dhjetëra herë iu ka bërë thirrje pesëshes evropiane për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Kujtojmë se Torres është edhe bashkëkryesues i Grupit për Shqiptarët në Kongresin Amerikan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore