Lajme

Kongresistja amerikane propozon Akt që “ia ndalon Amerikës ndihmën për Kosovën pa u zbatuar Marrëveshja e vitit 2013, përfshirë Asociacioni”


Claudia Tenney

Kongresitja amerikane nga Republikanët, Claudia Tenney, përfaqësuese e New Yorkut në Dhomën e Përfaqësuesve, ka propozuar që të futet në fuqi një akt ligjor që e ndërlidhë ndihmën amerikane për Kosovën me plotësimin e pikave të Marrëveshjes së Vitit 2013, pjesë kryesore e së cilës ishte Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Tenney, një përkrahëse e hapur e Donald Trump-it, ka lëshuar një njoftim për media ku thuhet se qëndrimi për të mos e ndihmuar Kosovën derisa të zbatojë pikat e marrëveshjes është “imperativ për Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të marrin qëndrim për demokracinë, paqen dhe stabilitetin në rajon”.

Ajo propozon të miratohet një Akt i Mbështetjes së zbatimit të Marrëveshjes së vitit 2013 dhe kjo ta ndërlidhë ndihmën amerikane për Kosovën me zbatimin e kësaj marrëveshje.

“Akti i Mbështetjes për Marrëveshjen e vitit 2013 dërgon mesazhin e qartë se ndihma jonë duhet të jetë e ndërlidhur me principet e Marrëveshjes 2013”, ka deklaruar Tenney, njofton faqja e saj zyrtare.

Ajo shton se Akti duhet gjithashtu të saktësojë se SHBA-të qëndrojnë “kategorikisht kundër veprimeve që cenojnë të drejtat dhe mirëqenien e serbëve të Kosovës”.

“Ky legjislacion do të reflektonte përkushtimin tonë për paqe dhe mbajtjen përgjegjës të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Qeverinë e Kosovës”, vazhdon tutje ajo.

Konkresistja pretendon se për shkak se nuk është zbatuar kjo marrëveshje ka “shtypje dhe diskriminim të serbëve të Kosovës në Kosovë”.

Akti i propozuar nga Tenney do të ndalonte për Shtetet e Bashkuara të Amerikës çfarëdo ndihme derisa disa kushte të caktuara të dala nga Marrëveshja e Brukselit 2013 të plotësoheshin.

“Dështimi i Kosovës për të përmbushur zotimet nga kjo marrëveshje shkel normat ndërkombëtare dhe krijon tension e jo stabilitet në Ballkanin Perëndimor”.

Amerikanja përmend veçanërisht Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, për të cilin thotë se “Kosova ka dështuar ta zbatojë këtë përkushtim kryesor të saj”.

Në Aktin e propozuar të Tenney, që zë një ulëse në Dhomën e ulët të Kongresit Amerikan (ekuivalente me pozitën e deputetit në Kosovë) nuk përfshihet ndonjë obligim për Serbinë që të respektojë marrëveshjet me Kosovën.

Nga mbi 30 marrëveshje të arritura nga dialogu në Bruksel, Kosova nuk ka zbatuar vetëm këtë të 2013, derisa Serbia një shumicë dërrmuese, siç është edhe ajo për energjinë elektrike që u arrit së voni, pastaj atë për targa dhe për pranimin e diplomave.

Përkundër kësaj, Tenney kishte kritika vetëm për Kosovën dhe jo për sjelljen dekstruktive të Serbisë.

Ajo, kur ka folur për destabilitetin në Veri të Kosovës, nuk ka përmendur fare as aktin e kidnapimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe dhe as sulmin para-ushtarak terrorist nga Serbië në Kosovë, të udhëhequr nga Milan Radojiçiç, i kategorizuar në listë të zezë edhe nga vetë SHBA-të.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore