Shqipëria

Konflikt pronësie në Kepin e Rodonit, disa banorë përleshen me përfaqësues të kishës katolike


Disa banorë në Kepin e Rodonit janë konfliktuar me përfaqësues të kishës katolike për rrethimin e një prone, ndaj të cilës të dyja palët pretendojnë se kanë certifikatë pronësie.

Kështu bën të ditur Policia e Shtetit, duke cituar njoftimin zyrtar për shtyp.

“Në zonën e Kepit të Rodonit, disa banorë të fshatit Shetaj, konkretisht shtetasit B. K., E. R., Y. R. dhe O. R. janë konfliktuar me sende të forta, me përfaqësues të kishës katolike, shtetasit N. S., M. F., M. L. dhe P. D”, vërejnë fillimisht autoritetet.

Sipas tyre, konflikti ka nisur gjatë kohës kur përfaqësuesit e kishës katolike po bënin rrethimin e pronës për të cilën kanë certifikatë pronësie.

Policia shton se banorët e zonës nuk i kanë lejuar që të bëjnë këtë rrethim pasi edhe ata kanë një certifikatë pronësie, që pretendojnë se e kanë për të njëjtën pronë.

Konflikti midis këtyre shtetasve ka agravuar me përdorimin e sendeve të forta, pas konfliktit me grushte, sqaron në vijim Policia.

Në vendngjarje është gjetur dhe një gëzhojë arme zjarri.

“Si pasojë e konfliktit me sende të forta kanë pësuar dëmtime të lehta disa nga shtetasit e përfshirë në konflikt, të cilët pasi kanë marrë ndihmë mjekësore,  janë shoqëruar bashkë me shtetasit e tjerë të përfshirë në konflikt, me qëllim kryerjen e veprimeve për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, ravijëzoi Policia.

Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

“Sqarojmë se në lidhje me pretendimet e palëve për certifikatën e pronësisë, nga ana e Policisë janë referuar disa herë materialet në Prokurori, për konfliktet që ka pasur herë pas here, mes palëve”, nënvizojnë autoritetet në përmbyllje të reagimit zyrtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore