Shqipëria

Konfirmohen 11 raste të fëmijëve me fruth në Shqipëri


Edhe në vendin tonë – pas alarmit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për përhapjen e fruthit – janë konfirmuar rastet e para.

Kështu, Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) ka konfirmuar 11 raste me fruth.

Gjashtë prej këtyre rasteve kanë lidhje familjare dhe janë të pa vaksinuar. Ndërkohë, të infektuarit janë fëmijë të moshës nga 1 deri në 9 vjeç.

Sakaq, rastet në fjalë janë të konfirmuara në qytetin e Tiranës dhe në Durrës.

Referuar ISHP-së, vaksinimi ndaj fruthit ka pësuar rënie të ndjeshme që pas pandemisë së coronavirus-it.

Vetëm në Tiranë, vitet e fundit, llogariten rreth 13 mijë fëmijë të moshës 0-5 vjeç të pa vaksinuar.

Në një raport zyrtar të publikuar nga ISHP, që kryhet çdo 10 vjet, raportohet se mbulimi me vaksinën kundër fruthit për moshat 12-13 muaj ishte 75% në raport me 94 % që ishte regjistruar në periudhën vjetore 2004-2008.

Sipas të dhënave zyrtare të ISHP, rënia më e madhe u vu re gjatë tre viteve të pandemisë e sidomos në vitin 2022 ku u vu re një rënie drastike e mbulimit me vaksina, kryesisht në qytetet e mëdha përfshi Tiranën.

Sipas ISHP, po vihet re gjithnjë e më shpesh se prindërit kanë tendencë ta shtyjnë vaksinën dhe të aplikojnë dozën e parë të kësaj vaksine te fëmijët mbi 15 muaj deri ne 20-24 muajsh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore