Shqipëria

Konferenca e Donatorëve për Ukrainën, Shqipëria dhuron 1 milion euro


“1 milion euro” do t’i dhurohen qeverisë ukrainase nga ajo shqiptare.

Këtë shumë e bëri me dije kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nga Konferenca e Donatorëve, e cila po zhvillohet në Varshavë.

“E di që kjo shumë nuk do të ndryshojë në përfundimin e luftës, pra mënyrën si po zhvillohet lufta, por ne jemi të nderuar që jemi këtu. Jam falënderues për kryeministrin polak, i cili është pjesë e kësaj konference, për të bërë më të mirën për ukrainasit”.

Rama, gjatë fjalës së tij, bëri me dije edhe se Shqipëria ka qenë një ndër shtetet e para që ka dhënë kontributin dhe ndihmesën sa u takon forcave të armatosura dhe pritjes së refugjatëve ukrainas.

Ai theksoi gjithashtu se shpreson që lufta në Ukrainë të mbarojë sa më shpejt.

Më herët kryeministri zhvilloi edhe një takim me kryeministrin e Polonisë, Mateusz Morawiecki, dhe kryeministren e Suedisë, Magdalena Andersson, të cilët janë dhe organizatorët e Konferencës.

Në Konferencën e Donatorëve për Ukrainën, në sesionin e posaçëm, u diskutuan masat konkrete për t’ju përgjigjur fatkeqësisë humanitare të shkaktuar nga lufta, ku sipas vlerësimit të OKB-së, miliona njerëz kanë nevojë për ndihmë urgjente humanitare, duke përfshirë ushqim, furnizime mjekësore dhe strehim.

Ndërkaq, nëpërmjet një lidhjeje direkte me anë të platformës Zoom, Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bëri thirrje për mbështetje financiare dhe armatime.

Ai tha se Ukraina do të rindërtohet, por për këtë “duhen investime të shpejta dhe efikase”.

Nuk ka munguar as kërkesa e tij për përshpejtimin e negociatave për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian.

Në përfundim të fjalës së tij, presidenti ukrainas tha se liria duhet të fitojë.

Kjo konferencë u zhvillua në partneritet me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Konferenca, me pjesëmarrje të nivelit të lartë të kryetarëve të shteteve dhe Qeverive iu dedikua qëllimit të përbashkët për të mbështetur reagimin humanitar të OKB-së në Ukrainë dhe për të diskutuar hapat e mëtejshëm drejt mbështetjes së përpjekjeve të Ukrainës për të trajtuar sfidat ekonomike të krijuara nga lufta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore