Lajme

Komunitetit Politik Evropian: Osmani shpreson në takime bilaterale


Këtë të enjte të 6 tetorit në Çeki do të mbahen Samiti i parë i Komunitetit Politik Evropian i cili do të mbledhë krerë shtetesh nga 44 vende, derisa temë e diskutimit do të jetë siguria dhe stabiliteti në Evropë.

Pjesëmarrëse në këtë samit është edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ftua nga presidentit i Këshillit Evropian, Charles Michel dhe kryeministri i Çekisë, Petr Fiala.

“Gjatë takimeve bilaterale, Presidentja Osmani do të diskutojë edhe mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, thuhej në njoftim për media të zyrës së Osmanit të mërkurën.

“Para liderëve evropianë, Osmani do ta përçojë mesazhin e përkushtimit të palëkundur të popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për integrimin euroatlantik të Kosovës si garanci për paqe të qëndrueshme në rajon dhe më gjerë”.

Po ashtu, krahas pjesëmarrjes në sesionet kryesore të Komunitetit Politik Evropian, Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me liderë evropianë për të diskutuar thellimin e bashkëpunimit për tejkalimin e sfidave të përbashkëta.

“Lufta” për takime në Çeki

“Vuçiç do të ketë një takim me Macron dhe Scholz”

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të jetë pjesëmarrës në samitin e Pragës.

Sipas “Radio Televizionit të Serbisë”, Vuçiç do të ketë një takim trilateral me presidentin e Francës, Emanuel Macron dhe kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.

“Emanuel Macron, Olaf Solz dhe Aleksandar Vuçiç do të diskutojnë nesër në Pragë për Kosovën, integrimin evropian dhe pozicionimin strategjik të Serbisë në lidhje me luftën në Ukrainë dhe sanksionet kundër Rusisë”.

Çka synon nisma?

Kjo nismë synon nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit për çështje me interes të përbashkët, forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në kontinentin evropian.

Komuniteti Politik Evropian është platformë për koordinim politik e krijuar mbi bazën e propozimit të presidenti francez, Emmanuel Macron dhe në të cilën do të bashkohen liderët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) dhe liderët e 17 vendeve të tjera evropiane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore