Lajme

Komunat kërkojnë rimbursimin e mjeteve nga niveli qendror për faljen e 100 eurove prej tatimit në pronë


Ilustrim: Bordi i Asociacionit të Komunave dhe Qeveria e Kosovës

Komunat e Kosovës, janë duke kërkuar rimbursimin e mjeteve nga niveli qendror nga falja e 100 eurove prej tatimit në pronë.

Lajmi e ka bërë të ditur kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi për Albanian Post.

Ndërsa komunat kërkesën e kanë bërë përmes një letre dërguar kryetarit të Kuvendit, nënkryetarit të Kuvendit dhe shefave të Grupeve Parlamentare.

“Me këtë projektligj, niveli qendror tash do t’i detyrojë komunat të marrin vendime për faljen e 100 eurove të para e sidomos tashmë pasi janë shpërndarë faturat e tatimit në pronë dhe në anën tjetër janë aprovuar buxhetet komunale me projeksionin e të hyrave pa falje dhe mbi bazën e këtij projeksioni buxhetor është paraparë edhe realizimi i projekteve kapitale”.

“Nga analizat tona mund të konkludohet se nga një veprim i tillë komunat mund t’i kenë për 40% më të ulta të hyrat vetanake për vitin 2023 sesa është paraparë nga projeksionet buxhetore”.

Tatimi në pronë

Sa i përket projektligjit për plotësim ndryshimin e tatimit në Pronë me anë të së cilit është propozuar edhe falja e 100 eurove të para nga tatimi në pronë i qytetarëve të Republikës së Kosovës, nga komunat është thënë se nuk janë në dijeni se si do të ketë ndikim ky ligj.

“Poashtu ju informojmë se as si Komuna e as si Asociacion i Komunave të Kosovës nuk jemi konsultuar për këtë propozim dhe as për ndikimet që do ti ketë ky Ligj në buxhetet komunale dhe realizimin e projekteve të tyre kapitale”.

“Edhe me këtë rast, nuk janë marrë fare parasysh specifikat e Komunave e ku kjo do të afektoj sidomos komunat e vogla kur të hyrë kryesore kanë të hyrat vetanake nga tatimi në pronë”.

Nga komunat është kërkuar që falja e 100 eurove të bëhet nga niveli qendror.

“Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës kërkon nga Ju që me Projektligjin për Tatimin në pronë, krahas faljes se 100 eurove të vendoset që rimbursimin e kësaj shume ta mbuloj niveli qendror në mënyrë që të mos varfërohen Komunat e Kosovës dhe të mos ketë ndikimin në realizimin e projekteve kapitale të parapara me buxhetet komunale të këtij viti”.

Duke shtuar se, “shpresojmë që kjo do të jetë hera e fundit që komunat nuk konsultohen për ligje të cilat kanë një impakt të drejtpërdrejte në funksionimin e pushtetit lokal në Republikën e Kosovës”.

Nga komunat është shprehur gatishmëri që edhe të debatojnë për këtë çështje dhe propozimin tonë si pushtet lokal që do të zbatoj këtë akt ligjor dhe do të ndikohet nga efektet e tij.

“Rritja e tatimit në vitin 2023 për shkak të qeverive të kaluara”

Në Kosovë përgjegjëse për rritjen e faturimit në prona janë dy institucione: Komunat dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, e cila udhëhiqet nga Hekuran Murati.

Ministri Murati, fajtor për rritjen e tatimit i kishte lënë Qeveritë e kaluara të cilat ishin në pushtet, të cilat e kishin miratuar ligjin për tatimin në pronë në vitin 2018.

“Pra, ky ligj fillimisht ishte miratuar me datën 4 maj të vitit 2018 kur ministër i Financave ka qenë Avdullah Hoti. Mirëpo, ky ligj nuk kishte arritur të miratohet në Kuvendin e Republikës dhe të hyjë në fuqi, sepse Qeveria ishte rrëzuar dikund një javë më vonë, pra me datën 10 maj”.

Për të njëjtin ligj, ministri ka thënë se ishte dërguar sërish në Kuvend në kohën e qeverisjes së Haradinaj.

“Më pastaj i njëjti ligj është proceduar në Qeverinë Haradinaj, disa muaj më vonë dhe me 26 janar është publikuar në gazetën zyrtare dhe ka hyrë në fuqi ndërsa në Kuvend ishte miratuar gjatë muajit nëntor ose dhjetor”.

“E më pas ky ligj i ka caktuar disa afate dhe kushtet të cilat i obligojnë institucionet e vendit që të respektohen. Ky ligj i miratuar në vitin 2018, ka paraparë që sipas ‘nenit 7’, të këtij ligji në vitin e pestë të zbatimit të ligjit të hyj në fuqi tatimi 100 për qind i tokave”.

Rritje në tatim tek disa prona është dyfishuar për shkak se ka filluar të llogaritet edhe tatimi i tokave.

“Më përpara s’ka qenë tatimi i tokave, prej hyrjes në fuqi të këtij ligji kanë filluar të tatimohen edhe tokat që nga viti 2018 e këndej. Dhe viti i pestë pra viti 2023, është viti ku ligji aplikohet nuk është marrë asnjë vendim sepse ky ligj e ka përcaktuar qysh në vitin 2018 që tokat duhet të tatimohen”.

Për të ndryshuar çmimet e tatimeve, nga Qeveria Kurti është thënë se po hartohet një ligj i ri, se kur do ta zëvendësojë këtë tjetrin, akoma s’dihet gjë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore