Shqipëria

Komiteti Teknik i Ekspertëve thotë se po monitoron situatën epidemiologjike


Komiteti Teknik i Ekspertëve në Shqipëri ka komunikuar të premten e 30 dhjetorit se po monitoron situatën epidemiologjike.

Kjo, ndërsa situata aktuale në vend paraqitet e kontrolluar por infeksionet COVID-19 po rriten në Kinë.

“Do të vlerësojmë hap pas hapi nevojën për masa shtesë në përputhje me dinamikën e zhvillimit të situatës epidemiologjike”, garantoi fillimisht zëvendës ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli.

Ajo kujtoi se duhet të vazhdojmë të kryejmë vaksinat sipas rekomandimeve të mjekut të familjes, në mënyrë që të mos afektohemi nga një valë e re.

“Ata qytetarë të cilët kanë kryer dy dozat e vaksinës bazë dhe nuk kanë bërë dozën e tretë ose të katërt të rendin menjëherë drejt qendrave të vaksinimit dhe t’i kryejnë këto doza. Po ashtu edhe ata të cilët deri më sot nuk e kanë kryer akoma vaksinimin bazal të shkojnë drejt qendrave tona të vaksinimit për ta aplikuar këtë vaksinë”, shtoi zyrtarja shqiptare.

Sipas saj, kjo është e vetmja mënyrë e cila na mbron nga sëmundja dhe na mbron nga shpërthimi i një vale të re.

Kujtojmë që, mesatarja e rasteve të reja ditore në Shqipëri javën e fundit është 18, ndërsa incidenca dy javore është 8 për 100 mijë.

Ndërsa numri i rasteve aktive sot në Shqipëri është 195.

Në lidhje me vaksinimin në Shqipëri deri me sot janë aplikuar rreth 3 milionë e 282 mijë doza dhe popullsia paraqitet e vaksinuar në masën 60.8 për qind.

“Komiteti i Ekspertëve, pasi analizoi situatën epidemiologjike, në vend, në Evropë edhe më tej, vlerëson se do të vazhdoje të monitorojë me shumë kujdes dinamikën e kësaj situate, dhe do të vlerësojë masat e marra nga vendet e tjera dhe rekomandimet e ECDC-së dhe të OBSH-së”, përmbyllet njoftimi zyrtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore