Shqipëria

Komiteti i Përbashkët i Mbikëqyrjes Shqipëri-MB, Balla: Janë deportuar mbi 2 mijë shtetas shqiptarë


Ministri i Brendshëm, Taulant Balla tha se bashkëpunimi i ngushtë mes autoriteteve ligjzbatuese shqiptare dhe atyre në Britaninë e Madhe ka prodhuar rezultate shumë pozitive në luftën ndaj migracionit ilegal kundër krimit të organizuar.

Këtë ai e tha gjatë takimit të Komitetit të Përbashkët Mbikëqyrës me Britaninë e Madhe për luftën kundër emigracionit të paligjshëm dhe fenomeneve të tjera kriminale.

“Rezultatet e deritanishme janë të mira, nuk hezitoj t’i quaj të jashtëzakonshme dhe tregojnë se bashkëpunimi i strukturave tona është produktiv, i suksesshëm dhe një shembull edhe për vende të tjera. Në bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese britanike, për vitin 2023, dua të informoj Ministrin Sveçla se kemi realizuar 50 operacione riatdhesimi dhe janë deportuar gjithsej 2 mijë e 250 shtetas shqiptarë, për motive nga më të ndryshmet”.

Ministri shqiptar deklaroi se palëve iu lind detyrë, të punojnë shpejt e fort, për të pasur rezultate pozitive për ndalimin e emigracionit të paligjshëm të shtetasve shqiptare drejt Britanisë së Madhe.

“Këto rezultate janë pa dyshim fillim i mirë dhe ne duhet të bëjmë gjithçka është e mundur që ky progres të jetë i pakthyeshëm dhe po ashtu është një shembull i mirë i amplifikimit të këtyre rezultateve edhe në bashkëpunim me vende të tjera të rajonit, sikurse është i mirëpritur rasti i Republikës së Kosovës. Prania e ministrit Sveçla në këtë takim është mesazhi më domethënës për vijimin e intensifikimit të bashkëpunimit brenda nesh, në një nivel trilateral tashmë, për të luftuar fenomene, të cilat nuk njohin kufij si krimi i organizuar apo migracioni i paligjshëm”.

Balla u shpreh se “duhet të vijojmë konsolidimin e këtyre rezultateve duke ritheksuar nevojën për mbështetje logjistike me pajisje, për të cilat jam gjithmonë falënderues ndaj palës britanike”.

“Me kënaqësi kam pranuar ftesën e mikut dhe homologut tim ministrit Balla, për të bashkuar forcat që të rezultojnë suksesshëm në përpjekjet tona për luftimin dhe frenimin e migrimit të parregullt. Policitë tona gëzojnë bashkëpunim të shkëlqyer ku përveç fushave specifike përfshihet edhe bashkëpunimi i përbashkët operacional, patrullimet e përbashkëta për luftën ndaj çdo lloj ilegaliteti ndërkufitar”.

“Sfidat për vitin e ardhshëm do të jenë ndërtimi i të ardhmes mbi këtë sukses, që është rezultat i mekanizmave që kemi krijuar, kryesisht i “Task Forces” së përbashkët për migracionin. Task Forca filloi si një organizëm bilateral mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, kryesisht me fokus emigracioni ilegal e tani kemi rastin ta zgjerojmë me një skemë më të zgjeruar gjatë vitit që vjen. Nuk do të jetë vetëm emigracioni ilegal, por do të jetë një rast për të forcuar marrëdhëniet bilaterale, si mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës, por edhe mes Shqipërisë e Kosovës”.

Kjo konferencë e radhës e mbajtur në Tiranë është vijimësi e takimit të mbajtur në shtatorin e kaluar në kuadër të Procesit të Berlinit për Çështjet e Brendshme, dhe synon reflektojë mbi qasjet gjithëpërfshirëse dhe të orientuara drejt zgjidhjeve për të menaxhuar në mënyrë efektive migracionin në Ballkanin Perëndimor dhe për të parandaluar kontrabandën e migrantëve dhe trafikimin e qenieve njerëzore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore