Lajme

Komiteti i Helsinkit në Serbi: Hapja e muzeut të Drazha Mihailloviçit është një hap drejt fashizmit


Ilustrim

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi (HCHR) ka dënuar të enjten fushatën e ripërtëritur të rehabilitimit dhe glorifikimit të kriminelit të dënuar për krime lufte dhe udhëheqësit të lëvizjes çetnike në Luftën e Dytë Botërore – Dragolub Drazha Mihailloviç, derisa ka fajësuar regjimin serb në Beograd për promovimin e fashizmit.

“Hapja e një muzeu privat dhe vendosja e një monumenti në Beograd kushtuar liderit, bashkëpunëtorit të fashizmit dhe komandantit të lëvizjes çetnike që kreu gjenocid ndaj popullatës myslimane gjatë Luftës së Dytë Botërore përfaqëson një hap tjetër në drejtim të fashizmit shoqëror”, kanë thënë nga Komiteti i Helsinkit të enjten.

Në deklaratën e Komitetit të Helsinkit që drejtohet nga aktivistja më e shquar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Sonja Biserko, thuhet se shumë personalitete në Beograd janë përgjegjës për promovimin e tendencave negative, veçanërisht presidenti serb Aleksandër Vuçiç, por edhe Kisha Ortodokse Serbe (KOS) dhe një pjesë e elitës akademike dhe kulturore.

Komiteti i Helsinkit në Beograd ka konsideruar se glorifikimi i Mihailloviçit është gjithashtu një akt provaktiv ndaj fqinjëve në rajon dhe se kjo në mënyrë të pashmangshme do të rrisë nivelin e pasigurisë së të gjitha kombësive joserbe që jetojnë në Serbi, veçanërisht në rajonin e brishtë të Sanxhakut që banohet kryesisht me boshnjakë myslimanë.

E numri i saktë i boshnjakëve myslimanë, kroatëve dhe viktimave të tjera joserbe të ekzekutuar nga çetnikët nën drejtimin e Mihailloviçit gjatë Luftës së Dytë Botërore asnjëherë nuk është përcaktuar zyrtarisht, porse sipas vlerësimeve, numri shkon deri në më shumë se dhjetëra mijëra viktima.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore