Shqipëria

Komisioni për TIMS-in, Salianji: Dorëzova kërkesa për informacion te Rama dhe institucionet


Kryetari i Komisionit Hetimor për TIMS-in, Ervis Salianji, reagoi në lidhje me braktisjen e mbledhjes së djeshme të komisionit nga pala e mazhorancës.

Ai u shpreh se janë depozituar kërkesa për informacion, ndërsa mbrojtjen që po përpiqen t’u bëhet personave të përfshirë në ndërhyrjen në sistemin TIMS, ai tha se është vepër penale.

Nëse institucionet nuk do të kthejnë përgjigje brenda 5 ditëve, Salianji tha se do të ketë kallëzime penale për shpërdorim detyre.

“Kam depozituar dje kërkesat për informacion të firmosura nga unë, drejtuar Ramës, ministrit të Brendshëm, Drejtorit të Policisë, drejtorit të AMP, drejtores së Shërbimit Informativ”.

Ndërkaq nënkryetari i komisionit, Toni Gogu, thotë se largimi ishte e vetmja mënyrë për të ndaluar shkeljen e ligjit.

“Në mbledhjen e djeshme ishim të shtrënguar që nga anëtarë të një Komisioni Hetimor, të bëheshim dëshmitarë sesi Ligji u shkel sistematikisht me injorancë si një gjë e pavlerë”.

Sipas tij, ligji që duhet të respektonin për Organizimin dhe Funksionimin e Komisioneve Hetimore i ngarkon ligjvënësit që: të hetojnë përmes veprimeve procedurale për të sqaruar një çështje të veçantë ( veprimtarinë e institucioneve të ngarkuara për mbrojtjen e sistemit TIMS), por pa marrë të pandehur dhe pa ngritur akuzë penale.

Për të, “ligji nuk autorizon të akuzojmë, ndaj sa herë që akuzojmë në vend që të hetojmë, ligji shkelet”.

“Ligji nuk na autorizon të shpallim fajtorë, ndaj sa herë që shpallim të tillë pa bërë ende asnjë pyetje, ligji shkelet”.

Ishte kërkuar një pushim i shkurtër, por nuk pati më kthim të deputetëve socialistë në mbledhjen e Komisionit Hetimor për sistemin TIMS.

Zëvendëskryetari i Komisionit, socialisti Toni Gogu, pati kërkuar një pushim pesë-minutësh në seancën e pasdites që po zhvillohej mes debateve të ashpra.

Këtë kërkesë e pati pranuar kreu i Komisionit, demokrati Ervin Salianji.

Mirëpo, deputetët e mazhorancës, nuk u kthyen më në mbledhje.

Asnjë shpjegim nuk është dhënë ende për këtë, teksa debatet shoqëruan gjithë punimet e sesionit të parashikuar.

Çfarë u tha?

Komisioni Hetimor për sistemin TIMS ka përplasur sërish deputetët e mazhorancës dhe opozitës, ku nuk munguan akuzat dhe kundërakuzat ndaj njëri-tjetrit.

Nga njëra anë, ishte kryetari i këtij komisioni, demokrati Ervin Salianji, i cili akuzoi se shumica po kërkonte të pengonte punën, duke i quajtur socialistët një “barrikadë”.

Megjithatë, ai tha se kushdo që do të kërkojë bllokimin e informacioneve, do të përballet me ligjin.

“PS ka si qëllim të pengojë hetimet e çdo krimi, doni t’i bëni barrikadë dhe mbrojtje ndaj ligjit për të gjithë kriminelët që kanë hyrë në atë sistem. Jeni të shqetësuar në mos ky komision e nxjerr se ku kanë shkuar të dhënat, nëse kanë shkuar për grupet kriminale apo janë fshirë të dhëna nga sistemit TIMS”, formuloi Salianji.

Ai po ashtu shtoi se nëse PS-ja do të kërkojë të bllokojë punën, është në të drejtën e saj. Por, bllokimi i kërkesave për informacion do të dërgohet në dyert e drejtësisë.

“Mos të bëjmë lojëra sikur ju jeni të shqetësuar. Kërkesa për informacion janë. Nuk po i kërkohet jeta askujt. Ju vini dhe bëni politikë gjithë kohës. Ne e kemi shkatërruar Shqipërinë dhe e kemi sjell në këtë derexhe. Nëse doni që të kemi dakordësi po”, tha ai.

Nga ana tjetër, zëvendëskryetari i komisionit, Toni Gogu, tha se çdo kërkesë për informacion do të votohet ditën e sotme.

“Ne kërkojmë që të votojmë. Veprimtaria jonë duhet të mos ketë asnjë ves ligjor. Ekspertët mbledhin informacion dhe i propozojnë komisionit një plan hetimor. Nuk mund të ketë vendime të njëanshme. Të miratojmë çdo kërkesë për informacion”, nënvizoi ai.

Teksa seanca u ndërpre për një pushim dhe pritet të rinisë dhe të vijojnë diskutimet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore