Lajme

Komisioni Hetimor për subvencionimin e teksteve dhe mjeteve shkollore s’arrin të konstituohet


Foto: Albanian Post.

Më 4 prill, Kuvendi i Kosovës, kishte themeluar Komisionin Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024, por që në mungesë të kuorumit i njëjti ka dështuar të konstituohet.

Ndonëse tentime pati, kryesuesi i këtij komisioni, Shemsedin Dreshaj, tha se s’ka kuorum as për të vazhduar e as të mbajtur mbledhjen.

“Fatkeqësisht nuk kemi kuorum të mjaftueshëm që të vazhdojmë më tutje në procesin e punës në këtë komision. Këtë mbledhje e shpalli të mbyllur”, tha Dreshaj.

Ndërsa nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, u propozua që mbledhjet e këtij komisioni të mbahen të premten.

Në komision të pranishëm ishin deputetja, Arjeta Fejza, Mirlinda Tishukaj-Sadiku dhe deputeti Bekim Haxhiu.

Ministria e Arsimit në vitin 2024 dështoi në sigurimin e teksteve shkollore për filloristët, Arbërie Nagavci, e cila drejton dikasterin në fjalë kishte uruar 1 shtatorin – fillimin e vitit të ri shkollor – për të gjithë nxënësit e vendit, duke thënë se MASHT-i në koordinim me komunat kanë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e këtij viti shkollor.

Mbledhja e Komisionit Hetimor për Arsim.

Deri në këtë vit shkollor, shkollat në gjithë Kosovën kanë përcaktuar se me cilat libra duan të punojnë, të njëjtat i kanë dërguar listat e tyre në Drejtorit Komunale të Arsimit dhe më pas drejtoria i ka përcjellur ato lista në Shtëpitë Botuese, të cilat i kanë përgatitur librat dhe nxënësit kanë gjetur të gjitha librat e nevojshme në bankat e tyre në ditën e parë të shkollës.

Kur ka përfunduar procesi, Ministria e Arsimit i ka paguar Shtëpitë Botuese për librat.

Me arsyetimin se nuk janë marrë vesh për çmimet, Ministria e Arsimit ka vendosur që të shkëpus këtë zinxhirë bashkëpunimi dhe t’ua dërgojë paratë direkt në xhirollogari prindërve, nëse ata vendosin të aplikojnë në platformën e-Kosova për rimbursim.

Përveç se është komplikuar procesi, meqë tash prindërit angazhohen të pyesin njëherë në shkollë se çfarë libra duhet të blejnë, më pas të dalin t’i blejnë ato vetë, të aplikojnë në e-Kosova, ta mbushin formularin dhe të presin rimbrusimin.

Për më tepër, i gjithë plani nuk bën as sens ekonomik, nëse qëllimi ka qenë shpenzimi më i vogël.

Në vend që ministria të paguajë direkt shtëpitë botuese duke e paguar librin aq sa e shet shtëpia botuese, librat do të blihen nga dora e dytë në librari, ku futet edhe fitimi i librarit që shet librin të cilin paraprakisht e ka blerë nga shtëpia botuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore