Lajme

Komandati i KFOR’it dhe shefi i EULEX’it vizitojnë Mitrovicën e Veriut


Shefi i Misionit për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars Gunnar Wigemark dhe komandanti i Misionit paqeruajtës të NATO-s (KFOR), Angelo Michele Ristuccia, kanë vizituar sot Mitrovicën e Veriut, për herë të dytë në shtatë ditët e fundit.

Ata fillimisht nisën vizitën në pjesën jugore për të vazhduar më pas në pjesën veriore të Mitrovicës, ku u ndalën për të pirë kafe.

“Sot në mëngjes shkuam në shëtitje përgjatë lumit Ibër në Mitrovicë së bashku me komandantin e KFOR-it Angelo Michele Ristuccia dhe më pas pimë një kafe të këndshme në Mitrovicën e Veriut”, ka shkruar Wigermark në Twitter.

“EULEX dhe KFOR janë të sinkronizuar në rolet tona përkatëse të përgjigjes për sigurinë në Kosovë”, shtoi ai.

Ndryshe, prezenca e policëve të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në pjesën veriore të Mitrovicës është dukshëm më i madh në prag të 21 nëntorit, raportoi sot gjatë ditës portali serb me seli në Kosovë ‘KoSSev’.

“Patrullat janë veçanërisht të dukshme në shëtitoren kryesore, rreth sheshit Knez Lazar, në qendër të qytetit, por edhe përgjatë vijave që ndajnë pjesën veriore nga ajo jugore të qytetit”.

“Karabinierët janë të vendosur rreth urës kryesore, ndërsa një numër i madh i xhipave të EULEX-it janë parkuar në anën jugore. Ka edhe automjete ngjyrë gri të KFOR-it”.

Ashtu siç bëri të ditur edhe Wigemark, rreth 135 policë të EULEX-it kanë filluar të patrollojnë në këmbë.

Në një intervistë për ‘KoSSev’ javën e kaluar, ai theksoi se është shtuar edhe numri i pjesëtarëve të EULEX-it në veri të vendit, të cilët po punojmë me ndërrime.

“Ata nuk janë të angazhuar përnjëherë, por punojnë me turne, para së gjithash kryejnë patrullime mobile, dhe nga sot kemi filluar edhe të patrullojmë në këmbë në Mitrovicë dhe në vende të tjera, për të treguar se jemi të pranishëm atje”, shpjegoi ai.

Grupi paramilitar i quajtur “Brigada e Veriut”, për të cilin gjerësisht ka raportuar Albanian Post, ka filluar të shfaqet çdo ditë e më shumë më Veri të Mitrovicës.

Tashmë janë shpërndarë edhe grafitë e shkrime të ndryshme në pjesë të qytetit, duke kërkuar nga qytetarët rezistencë dhe duke i siguruara se ata janë në mbrojtje të tyre.

Frika është se situata mund të eskalojë në momentin kur policia e Kosovës në Veri do të fillojë me vendosjen e gjobave prej 150 euro për të gjithë ata shoferë që vozisin vetura me tabela ilegale.

Derisa pritet një zgjidhje në Bruksel për këtë çështje, politikanë në radikalë në Serbi po kërkojnë që serbët e Kosovës të mos kthehen më fare në institucione dhe të mos u binden organeve të Kosovës, por të formojnë një strukturë krejtësisht paralele.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore