Kosova

Komandanti i KFOR-it viziton Leposaviqin: Të gatshëm të ofrojmë kornizën e sigurisë që dialogu të ecë para


Foto: KFOR

Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Ozkan Ulutas, ka vizituar këtë të mërkure Leposaviqin – komunë e banuar me shumicë serbe – ku është takuar me komandantin e bazës “Nothing Hill” dhe me personelin e misionit që patrullon përgjatë vijës së kufirit me Serbinë.

Siç ka njoftuar KFOR-i përmes një komunikate për media, Ulutas ka vizituar edhe Kishën Ortodokse Shën Vasilije Ostroski, ku është pritur nga atë Milutin Popadiç.

Gjatë takimit, Ulutas tha se “KFOR-i është plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm dhe të paanshëm të mandatit të tij të OKB-së për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes”.

“KFOR-i është i gatshëm të trajtojë çdo situatë që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë dhe vazhdon të ofrojë kornizën e nevojshme të sigurisë që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të ecë përpara”, ka theksuar ai.

Ndërsa, para disa ditësh, Ulutas ka njoftuar se KFOR-i ka marrë të gjitha masat e nevojshme për t’iu përgjigjur ndaj çdolloj dhune të mundshme në Kosovë.

Komandanti i KFOR-it, ndër të tjera, ka potencuar se NATO-ja ka forcuar prezencën e saj në Kosovë, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit.

“Mandati i KFOR-it është i qartë, të mbajë mjedis të qetë dhe të sigurt në Kosovë, për të gjithë njerëzit e saj. Pa marrë parasysh se nga vjen kërcënimi. Më lejoni t’u sigurojë se ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të parandaluar përshkallëzimin dhe jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo sfide”, ka deklaruar ai në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, RTK, kur u pyet se si do të përgjigjet KFOR-i në rast se Serbia ndërmerr veprime agresive kundër Kosovës.

“Si pasojë, NATO-ja ka vendosur forca shtesë rezervë me kapacitete plotësuese. Tani po mbajmë më shumë aktivitete. Kemi katërfishuar praninë tonë në Veri të Kosovës dhe kemi trefishuar numrin e patrullave, duke përfshirë edhe përgjatë vijës kufitare. Synimi ynë është të parandalojmë përshkallëzimin, por në rast përshkallëzimi, jemi të gatshëm dhe të pajisur për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të përmbushur mandatin tonë”, ka pohuar ai.

Ulutas, ka kërkuar gjithashtu si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia që t’i zgjidhin problemet me diplomaci duke i dhënë përparësi dialogut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore