Lajme

Komandanti i KFOR-it në Shkup, takohet me zyrtarë maqedonas, bisedojnë për situatën në rajon


Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Angelo Ristuccia, këtë të shtune ka qëndruar për vizitë në Maqedoninë e Veriut, ku është takuar me ministren maqedonase të Mbrojtjes, Slavjanka Petrov, dhe me drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës së Maqedonisë së Veriut, Erolld Musliu.

Përmes një cicërime në rrjetin social “Twitter”, nga KFOR-i kanë thënë se komandanti Ristuccia me zyrtarët maqedonas ka biseduar për situatën në rajon.

“Ata diskutuan për situatën e përgjithshme në rajon dhe gjeneralmajor Ristuccia i falënderoi për angazhimin dhe kontributin e Maqedonisë së Veriut në KFOR”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Ndryshe, Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR), nëpërmjet një komunikate për media të martën, ka thënë se vazhdon të mbështesë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve dhe ka bërë thirrje për përmbajtje nga veprimet provokuese në terren, pas tensioneve të krijuara në Veri të Kosovës, ku si pasojë edhe dhjetëra ushtarë të NATO-s ishin lënduar nga protestusit e dhunshëm serbë.

“KFOR-i vazhdon të mbështesë dialogun e lehtësuar nga BE-ja si mjeti i vetëm për të arritur një stabilitet të pakthyeshëm dhe të qëndrueshëm dhe për të zbutur tensionet në veri të Kosovës”, thuhej në komunikatën e KFOR-it.

“KFOR-i mirëpret të gjitha përpjekjet shumëkombëshe të ndërmarra për të rikthyer të dyja palët në tryezën e negociatave dhe fton të gjitha palët që të bashkohen drejt de-përshkallëzimit dhe të përmbahen nga veprimet provokuese që janë kundër interesave të të gjithë njerëzve në Kosovë”.

Paqeruajtësit kishin bërë me dije se mbeten në kontakt dhe koordinim të ngushtë me të gjithë bashkëbiseduesit vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë, UNMIK-un, OSBE-në, EULEX-in dhe Shefin e Mbrojtjes së Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore