Lajme

Komandanti i FSK-së: Jemi të gatshëm për pjesëmarrje në misione të përbashkëta me ushtrinë amerikane


Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari në Uashington DC.

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkimi Jashari gjatë qëndrimit të tij në Uashington DC, në konferencën e shënimit të 30 vjetorit të themelimit të Programit të Partneritetit Shtetëror të Gardave Kombëtare deklaroi se FSK-ja ka gatishmëri për pjesëmarrje në misione të përbashkëta me ushtrinë amerikane.

Kështu është thënë në një komunikatë nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

“Gjeneral Jashari konfirmoi gatishmërinë e FSK-së për pjesëmarrje në misione të përbashkëta me ushtrinë amerikane dhe në aktivitete e trajnime tjera në funksion të mbajtjes dhe zhvillimit të aftësive të ndërveprimit me forcat partnere”, thuhet në komunikatën e FSK-së.

Teksa ka falënderuar SHBA-në për përkrahje të vazhdueshmë për Kosovën dhe FSK-në.

Gjatë kësaj vizite ai u takua edhe me gjeneral brigadën Andreë Camacho, zëvendëskomandant i Gardës Kombëtare të Teksasit dhe delegacionin e tij.

“Takimi u shfrytëzua për t’ju uruar mirëseardhje në Kosovë trupave nga Teksasi, dhe për të konfirmuar gatishmërinë e FSK, për vazhdim të bashkëpunimit. Vlen të theksohet se trupat nga Teksas para pak ditësh morën rotacionin e trupave amerikane në Komandën Rajonale – Lindje (RC-E) në kampin Bondsteel me mision në kuadër të misionit të KFOR-it”.

“Gjeneral Camacho falënderoi Gjeneral Jasharin për pritjen dhe konfirmoi gatishmërinë për vazhdim dhe fuqizim te bashkëpunimit te ndërsjellë”.

Më 19 korrik, është bërë e ditur se projektligji vjetor i Senatit Amerikan do ta shtojë Kosovën në listën e vendeve të Evropës Lindore që kualifikohen për trajnim ushtarake.

Akti fiskal i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare amerikane të vitit 2024, për të cilin Senati ka planifikuar të fillojë debatin këtë javë, i lejon Kosovës të angazhohet në stërvitjet ushtarake të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të rritur ndërveprimin me forcat e NATO-s.

Një gjë e tillë do t’i mundësoj Kosovës të marr rimbursime për trajnime nëpërmjet stërvitjeve ushtarake shumëpalëshe me anëtarët e NATO-s dhe partneritetit për Paqe të NATO-s.

Ndryshe, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ishte përjashtuar nga stërvitja më e madhe ushtarake “Defender Europe 23”, kjo si masë e parë ndaj Prishtinës për shkak te refuzimit të saj për t’i zbatuar kërkesat e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për ta de-eskaluar situatën në Veri të Kosovës, pas tensioneve të krijuara atje që nga 26 maji.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore