Lajme

Komandanti i Azov-it: Dorëzimi nuk është opsion


“Dorëzim? As që kemi folur për të. Rusët të bëjnë ç’të duan me ultimatumet e tyre. Heronjtë e Mariupol-it do të luftojnë deri në fund. Ata nuk kërkojnë martirizimin, por janë gati të vdesin”.

Komandanti Michail Pirog është disi i shtangur kur flitet për mundësinë që ukrainasit, e rrethuar për gati dy muaj, të zgjedhin të dorëzohen.

Me qetësi, ai shpjegon se kjo nuk bën pjesë tek opsionet e menduara.

55-vjeçari drejton batalionin e katërt të vullnetarëve të formacionit nacionalist “Azov”, afro një mijë burra në rrethin e Zaporizhzhia-s, qyteti më afër Mariupol-it.

Sipas tij, “ka marinsa të Brigadave 36 dhe 503, ushtarë të Gardës Kombëtare dhe shumë vullnetarë Azov” që ende luftojnë.

“Janë ende njësi operacionale, kemi arritur t’u dërgojmë përforcime me armë dhe municione deri para disa javësh. Ata ende mund të rezistojnë për javë të tëra, por u mungon ushqimi dhe uji ashtu sikurse civilëve”, tregon ai.

Pirog pranon se proporcioni në qarqet ushtarake është thuajse një mijë ushtarë ukrainas të rrethuar kundër dhjetë mijë rusëve.

Por nuk zbulon se cilat lagje janë ende në duart e tyre përveç zonës së fabrikës së çelikut, Azovstal.

Kjo sepse pozicionet ndryshojnë vazhdimisht.

“Po flasim për një betejë mes rrugëve të një zone të madhe urbane. Ka shumë vende ku bëhet rezistencë dhe kjo e vështirëson përparimin rus”, shton ai.

Për të, kjo betejë është më keq se sa një luftë klasike urbane me kokteje molotovi.

“E jona ka ende raketa, antitank, mortaja të lehta. Ata janë ushtarë të një ushtrie, jo guerile urbane”, dallon komandanti.

Sakaq, për ata që e akuzojnë Azov-in si një grup neo-nazist dhe racist, ai ka një përgjigje.

“Jemi patriotë që luftojmë për liri dhe demokraci. Propaganda ruse falsifikon realitetin dhe na akuzon për nazizëm, ndërsa ushtarët rusë po vrasin civilë, vjedhin dhe përdhunojnë. Ata janë hitlerianët e rinj”, ravijëzon ai.

Pirog thekson po ashtu se po luftohet për të mbrojtur demokracitë evropiane kundër fashizmit ekspansionist të Vladimir Putin-it.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore