Sport

Koha kur Eintracht dhe Rangers u përballen për herë të fundit në Evropë


Eintracht Frankfurt-i dhe Rangers-i do të përballen këtë të mërkurë në finalen e UEFA Europa League. Një sfidë që luhet në stadiumin “Ramos Sanchez-Pizjuan” të Seviljas, duke filluar nga ora 21:00.

Dy skuadrat janë përballur vetëm dy herë, mbi gjashtë dekada më parë, në gjysmëfinalet e European Cup, sot Champions League, në sezonin 1959/60.

Në të dy këto përballje u shënuan 16 gola, 12 prej të cilëve nga skuadra gjermane.

Rangers udhëtoi të mërkurën e 13 prillit 1960 për në “Waldstadion” (sot “Deutsche Bank Park”) për gjysmefinalen e pare.

Pjesa e parë ishte pozitive për miqtë nga Skocia. Golit të Dieter Stinka të vendasve iu përgjigj ai i Eric Caldow, me 11 metërsh. 45 minutat e para prodhuan rezultat të barabartë 1-1.

Pjesa e dytë do të fliste vetëm për Eintracht. Alfred Pfaff dhe Dieter Lindner do të shënonin nga dy gola. Dhe në fund, fitoren 6-1 e vulos goli i Erwin Stein.

Të enjten e 5 majit 1960, skuadra gjermane udhëtonte drejt Gllasgout për ndeshjen e kthimit. Sfidë e cila u luajt në “Ibrox Stadium”.

Miqtë do kalonin të parët në avantazh që në fillim të takimit me anë të Lindner. Ian McMillan do të barazonte përkohësisht shifrat.

Gjermanët do të shënonin edhe dy herë të tjera brenda pjesës së parë me anë të Pfaff dhe Richard Kress.

Në pjesën e dytë do të vinin tre gola të tjerë nga miqtë dhe një nga vendasit. McMillan shënonte për Rangers. Për Eintracht shënonte Pfaff dhe dy gola Erich Meier.

Eintracht do të kalonte në finale pasi fitoi me rezultatin e përgjithshëm 12-4. Përballë tashmë do kishte një superfuqi si Real Madrid-i.

Finalja u mbajt po në Gllasgou, por në stadiumin “Hampden Park”. Real-i triumfoi me shifrat 7-3, falë tripletës së Alfredo Di Stefano dhe pokerit të Ferenc Puskas. Stein dhe Kress (dy gola) ishi autorët për skuadrën gjermane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore