Lajme

KMDLNj e kundërshton fuqishëm marrëveshjen mes Kosovës dhe Danimarkës për të burgosurit: Diskriminuese dhe raciste


KMDLNJ.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, konsideron se marrëveshja për trafikim të të burgosurve me Danimarkën është “diskriminuese dhe raciste”.

Përmes një komunikate për media është thënë se Danimarka ka pasur afat kohorë të mjaftueshëm që të ndërtojë një burg në vendin e tyre.

“Prej kohës kur është nënshkruar marrëveshja midis Danimarkës dhe Kosovës, autoritetet daneze kanë pasur kohë të mjaftueshme sikur edhe mundësi të mëdha materiale ta ndërtojnë një burg në Danimarkë apo të përshtatin një objekt ku do t’i vendosnin të dënuarit, asnjëri nga ta shtetas i Danimarkës”.

“Por qëllimi është se qartazi nuk duan të merren me ta prandaj ua shesin Kosovës për një afat 10 vjeçar, me një kompensim 210 milionë euro që kur të përpjesëtohet dhe hiqen investimet del të jetë një shumë e papërfillshme”, thuhet në komunikatën për media.

Sipas këtij këshilli, me këtë marrëveshje humbësit më të mëdhenj do të jenë personat e privuar nga liria në Kosovë.

“Me këtë marrëveshje humbësit më të mëdhenj do të jenë personat e privuar nga liria në Kosovë që, as përsëafërmi nuk do të trajtohen sikur të burgosurit e importuar nga Danimarka, në asnjë aspekt.  Në aspektin afatgjatë, Shërbimi Korrektues i Kosovës do të jetë humbës i padiskutueshëm sepse për shkak të dallimeve jonormale të trajtimet brenda një sistemi unik juridik të një vendi, këta do të përballen me revoltën e të dënuarve vendas”.

Ndër të tjera, Këshilli shton se të burgosurve që do të vendosen do t’u shkelen edhe të drejtat e njeriut.

“Të burgosurve që do të vendosen dhunshëm në Kosovë nga Danimarka do t’iu shkelen të drejtat e njeriut duke filluar nga trajtimi në baza raciste që ua bëjnë autoritetet daneze. Në Kosovë do të përballen me probleme të vizitave sidomos për fëmijët e tyre dhe anëtarët e moshuar të familjes”.

“Do të kenë probleme të trajtimit të rasteve të rënda shëndetësore të cilat nuk do të trajtohen brenda Burgut të Gjilanit. Do të kenë problem të komunikimit me stafin sikur edhe të përshtatjes në një mjedis tjetër social. Do të jetë problem i shfrytëzimit të beneficioneve  dhe probleme tjera”, thuhet në njoftim.

Teksa kanë shtuar se e kundërshtojnë këtë marrëveshje në mënyrë të fuqishme.

“KMDLNj e kundërshton fuqishëm këtë marrëveshje dhe, në një kohë të përshtatshme do t’i drejtohet të gjitha organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut sikur edhe autoriteve daneze. Vota për këtë Marrëveshje është votë për racizmin dhe për diskriminimin e personave të privuar nga liria”.

“Sidomos pasojat që do të jenë të pashmangshme për Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe për të privuarit dhe të dënuarit kosovarë. Nëse votohet kjo marrëveshje, atëherë do të jetë legalizim i Zajednicës daneze në sistemin Korrektues të Kosovës  ku do të kemi dy sovranitete korrektuese brenda një shteti të vetëm”, thuhet tutje në njoftimin e tyre.

Më 13 prill, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është takuar me ministrin e Drejtësisë të Danimarkës, Peter Hummelgard dhe Komisionin për Legjislacion të Parlamentit danez me të cilët ka biseduar për nënshkrimin e marrëveshjes ndërkombëtare mes Kosovës dhe Danimarkës.

Sipas marrëveshjes të arritur mes Kosovës dhe Danimarkës, të burgosurit e huaj do të dërgohen në fillim të vitit 2023 në një burg në qytetin e Gjilanit.

Pasi të kenë vuajtur dënimin, ata do të dëbohen nga Kosova.

Danimarka dëshiron që të huajt që kryejnë vepra penale, të dënohen me dëbim nga shteti.

Ky shtet planifikon që të transferojë menaxhimin e të huajve përtej kufijve të Bashkimit Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore