Shqipëria

KLSH zbulon shkelje në tendera të Bashkisë Fier, kërkon masa “ndëshkimor” për abuzuesit


Kontrolli i Lartë i Shtetit të premten e 17 qershorit ka bërë me dije se pas përfundimit të auditimit të kryer në Bashkinë e Fierit, ka zbuluar shkelje dhe abuzime në tendera që kapin vlerën prej 1.4 miliardë lekësh.

Për shkak të kësaj KLSH-ja ka kërkuar marrjen e masave kundrejt punonjësve të Bashkisë së Fierit.

Për punonjësit është kërkuar masë disiplinore si  “mbajtja deri në 1/3 e pagës së plotë për një periudhë deri në gjashtë muaj” apo “pezullim nga e drejta e ngritjes në detyrë, përfshirë rritjen në shkallën e pagës për një periudhë deri në dy vjet”; deri në, “Largim nga shërbimi civil”. Kjo për shkak se akuzohen se për veprimet e tyre i kanë shkaktuar një dëm prej 1.4 miliardë lekësh buxhetit të bashkisë.

Ndërkaq ajo ka kërkuar 17 masa organizative. Konkretisht 12 masa për shpërblim dëmi në vlerën rreth 150 milion lekë në fushën e zbatimit të kontratave, për punime të pakryuera por të situacionuara dhe paguara; në fushën e prokurimeve, për vlerësim të gabuar të Ofertave Ekonomike nga operatorët ekonomik pjesëmarrës në procedura; në fushën e urbanistikës, kryesisht për përllogaritje të gabuar të taksës së ndikimit në infrastrukturë nga shoqëritë sipërmarrëse, realizuese të invesitimeve me fonde private).

Po ashtu shtatë janë masat për eliminimin e efekteve negative të konstatuara në administrimin e fondeve publike dhe për menaxhimin me ekonomicitet, eficence dhe efektivitet të fondeve publike (3E-të) në vlerën rreth 1.4 miliard lekë.

Këtu përfshihen për mos pagesë të taksave të infrastrukturës nga legalizimet informale në vlerën 61 milionë lekë; për mos llogaritjen dhe arkëtimin e taksave në vlerën 120 milionë lekë; për mos llogaritje dhe vjeljen e gjobave nga Inspektorati Ndërtimor dhe Urbanistikë në vlerën 26 milionë lekë; për mosllogaritje të takës për zënie të hapësirave publike në vlerën 44 milionë lekë dhe në fushën e prokurimeve publike për vlerësim të gabuar të ofertave ekonomike nga operatorët pjesëmarrës në procedura në vlerën 1.300 miliardë lekë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore