Lajme

“Kjo Qeveri e korruptuar me skandale milionëshe duhet të shkojë në shtëpi”, deputetja Krasniqi pas hulumtimit të Albanian Post


Deputetja e Lidhjes Demokratiket të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka reaguar pas raportimit të Albanian Post, ku shpërfaqet se si me një procedurë të sofistikuar mashtrimi, Liburn Aliu, Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, bashkë me Naser Hafizin zëvendësues i Drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, i kanë shkaktuar vendit miliona dëme duke ua shlyer borxhin në forma të kundërligjshme kompanive që merren me ambalazhimin e ujit.

“Parulla ‘hajnat në burg’ po shndërrohet në ‘Ministrat në burg’. Kjo qeveri e korruptuar dhe me skandale milionëshe duhet të shkoj në shtëpi madje disa ministra duhet të shkojnë në burg sepse atje e kanë vendin”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ajo ka theksuar se organet e rendit duhet të ndërmarrin hapat e nevojshëm, meqë miliona euro po keqpërdoren nga “pushteti prej frikës” sepse e dinë që nuk do të kthehen më në ato pozita.

Çka raportoi AP?

Në një procedurë të sofistikuar mashtrimi, Liburn Aliu, Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, bashkë me Naser Hafizin zëvendësues i Drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, i kanë shkaktuar Kosovës dhjetëra miliona dëme duke ua shlyer borxhin në forma të kundërligjshme kompanive që merren me ambalazhimin e ujit në Kosovë.

Vetëm në pjesën e dosjes që e ka zbërthyer Albanian Post, në rastin e vetëm 5 kompanive të ambalazhuesve të ujit (nga 27 sa janë në total) bëhet fjalë për zhvatjen dhe keqpërdorimin e 11 milionë e 152 mijë e 144 eurove të shtetit të Kosovës.

Gjithë këtë borxh, Aliu, përmes vartësit të tij Hafizit, të cilin po sa ishte bërë ministër e kishte kaluar kundërligjshëm nga pozita e Zyrtarit për Financa në atë të Zëvendësuesit të Udhëheqësit të Divizionit për Pagesa dhe Projekte e përfundimisht si Ushtrues Detyre i Drejtorit të Autoritetit Rajonal i Pellgjeve Lumore, ua ka shlyer këtyre kompanive me vetëm disa mijëra euro pagesa.

Albanian Post posedon dokumentet për të gjitha mashtrimet e Aliut dhe Hafizit.

Ekskluzive: Hajnia multi-milionëshe e Liburn Aliut dhe Naser Hafizit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore