Lajme

KiE miraton sanksionet kundër Rusisë


Këshilli i Evropës miratoi sot një paketë masash për t’iu përgjigjur vendimit të Federatës Ruse për të vazhduar me njohjen e zonave të kontrolluara joqeveritare të rajoneve Donetsk dhe Luhansk të Ukrainës si entitete të pavarura, dhe vendimin pasues për dërgimin e trupave ruse në këto zona.

Josep Borrell, Përfaqësues i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë tha se vendime të tilla janë të paligjshme dhe të papranueshme.

“Ato shkelin ligjin ndërkombëtar, integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, angazhimet ndërkombëtare të Rusisë dhe përshkallëzojnë më tej krizën”.

Sanksionet

Brenda kuadrit ekzistues për sanksionet, BE-ja do të zgjerojë masat kufizuese për 351 anëtarët, të cilët votuan më 15 shkurt në favor për të njohur pavarësinë e Donetskut dhe Luhanskut.

Për më tepër, masa kufizuese do të vendosen edhe ndaj 27 individëve dhe subjekteve të profilit të lartë, të cilët kanë luajtur një rol në minimin ose kërcënimin e integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës.

Këtu përfshihen vendimmarrësit si anëtarët e qeverisë, të cilët janë përfshirë në vendimet e paligjshme, bankat dhe biznesmenët që mbështesin financiarisht ose materialisht operacionet ruse në territoret e Donetsk-ut dhe Luhansk-ut, ose përfitojnë prej tyre, oficerë të lartë ushtarakë, të cilët luajtën rol në aksionet e pushtimit dhe destabilizimit dhe individët përgjegjës për udhëheqjen e një lufte dezinformative kundër Ukrainës.

Masat kufizuese përfshijnë ngrirje të aseteve dhe ndalim të vënies në dispozicion të fondeve për individët dhe subjektet e listuara.

Përveç kësaj, personat e listuar më sipër do të ndalohen të hyjnë ose të kalojnë tranzit përmes territorit të BE-së.

Kufizime në marrëdhëniet ekonomike me zonat e kontrolluara joqeveritare të rajoneve Donetsk dhe Luhansk

Masat e reja do të synojnë tregtinë nga dy rajonet e kontrolluara joqeveritare drejt dhe nga BE-ja, për të siguruar që përgjegjësit të ndjejnë qartë pasojat ekonomike të veprimeve të tyre të paligjshme dhe agresive.

Vendimi i sotëm do të prezantojë në veçanti një ndalim të importit të mallrave nga zonat e kontrolluara joqeveritare të rajoneve Donetsk dhe Luhansk, kufizime në tregti dhe investime në lidhje me sektorë të caktuar ekonomikë, një ndalim të furnizimit të shërbimeve turistike dhe një ndalim eksporti për mallra të caktuara dhe teknologjive.

Kufizime financiare

Këshilli vendosi një ndalim sektorial për financimin e Federatës Ruse, qeverisë së saj dhe Bankës Qendrore. Duke kufizuar aftësinë e shtetit dhe qeverisë ruse për të hyrë në tregjet dhe shërbimet e kapitalit të BE-së.

BE-ja i kërkon Rusisë të anulojë njohjen e zonave të kontrolluara joqeveritare të rajoneve Donetsk dhe Luhansk, të mbajë angazhimet e saj, të respektojë ligjin ndërkombëtar dhe t’i kthehet diskutimeve brenda formatit të Normandisë dhe Grupit Trepalësh të Kontaktit.

BE u bën thirrje gjithashtu shteteve të tjera që të mos ndjekin vendimin e paligjshëm të Rusisë për të njohur këtë pavarësi të shpallur.

Blloku është i gatshëm të miratojë me shpejtësi sanksione më të gjera politike dhe ekonomike në rast nevoje dhe rithekson mbështetjen dhe angazhimin e palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore