Lajme

Kica-Xhelili thotë se deputetët e LVV-së po “e mbrojnë ministren Hajdari”: Roli i deputetit s’është ta mbroj një hajni të dyshuar


Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se në mbledhjen e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, i ka njoftuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje se nuk është roli i tyre “ta mbrojnë një hajni të dyshuar”, duke aluduar në Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

“Roli i deputetit nuk është të mbroj hajni të dyshuar. Sot u thashë deputetëve të LVV-së se duhet bërë kallëzim penal, nëse Ministrja Hajdari vazhdon të fsheh, e këta vazhdojnë ta mbrojnë. E morën shumë personale disa. Madje njëri më tha: po kërcënon. Po kërcënoj me çka?. Me procedurë të ligjshme gjyqësore?”, ka pyetur ajo përmes një statusi në Facebook.

“Komisionin hetimor për miell e vaj, LVV nuk e la të funksionoj. 3 muaj sabotim e 3 muaj manipulim. Ministrja po refuzon t’i dorëzoj dokumentet. Një hall duhet ta ketë. E LVV po e mbron dikë që dyshohet për krim. Çka i bën kjo ata?”, ka vazhduar me pyetje ajo.

Tutje, deputetja e LDK-së ka potencuar se “mos të harrojmë – ne kemi imunitet funksional, por nuk jemi imun ndaj ndjekjes penale”.

Prandaj, sipas saj, kushdo që ndjehet i kërcënuar, është dashur të mendoj para se ta sjell veten në situatë që të frikësohet nga hetimi penal.

Ndryshe, Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla, ka diskutuar këtë të hënë rreth kërkesave për sjellje të dokumentacionit.

Anëtarët e partive opozitare patën kritika sa i përket mos përgjigjes së Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrsisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, për dokumentacionet e kërkuara nga ky komision.

Në nëntor të vitit të kaluar ishte formuar Komisioni për Rezervat Shtetërore pasi Albanian Post kishte raportuar për problemin me Rezervat Shtetërore dhe keqpërdorimet potenciale që ndodhnin prapa arsyetimit se s’mund të jepeshin informacione meqë ishte sekret shtetëror.

Në artikullin me titull “Rezervat Shtetërore të Kosovës – A po mbulohet keqpërdorimi milionësh me arsyetimin e “sekretit shtetëror”?”, AP kishte nxjerrur në pah faktin se Kosova ka blerë mallra për rezerva shtetërore nga një kompani turke fantom.

Nga Prokuroria Speciale akuzohen dy zyrtarë të MINT drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetrore, Hafiz Gara, Drejtori i Integrimeve Evropiane, Irfan Lipovica dhe Ridvan Muharremi, afarist.

Organi i Akuzës i ngarkon Garën e Lipovicën se kanë anashkaluar Ligjin e Prokurimit Publik kur kanë kërkuar që malli të blihet pa procedura, por me negocim.

Prokuroria në dosje thotë se buxheti i Kosovës është dëmtuar 600 mijë euro si shkak i mos ardhjes së vajit, sheqerit dhe 52 tonë grurë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore