Lajme

Kica-Xhelili: Të gjitha këto ndërtime paralale tregojnë për nevojën urgjente për inspektorë shtesë


Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili, ka reaguar pas rastit ku një veturë ka rënë të enjten si pasojë e shembjes së dheut në një vend-punishte.

Ajo ka thënë se kaosin e ndërtimeve që është bërë në Prishtinë s’mund ta inspektojë askush gjatë gjithë ditës.

“Gjithë këto ndërtime paralele nuk mund t’i inspektojë askush 24/7. Jo vetëm në Kosovë – por askund. Kemi nevojë urgjente për inspektorë shtesë!!”.

“Papërgjegjësia e ndërtuesve është pafalshme sepse ky lloj rreziku është pikërisht i pafalshëm!”, ka shkruar ajo.

Kica, tutje ka deklaruar se është fatmirësi që askush nuk ka qëlluar brenda veturës.

“Pronarët e kësaj veture kanë fëmijë që falë Zotit nuk ishin brenda”.

“Banorët e ndërtesës pranë tani janë pa ujë, pa rrymë, por të tmerruar e frikësuar nga çka mund të ndodhte. Ndërtuesit edhe mund të jenë “fatlum” që nuk kishim humbje jetësh, por përgjegjësia e shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm është e paevitueshme”.

Siguri s’ka as në ndërtimin e objekteve banesore.

Për gjashtë muajt e fundit në Kosovë kanë vdekur 12 persona në vendin e punës, një rekord i zi ky qysh nga paslufta në Kosovë.

Vdekjet, që kanë ardhur për shkak të dështimit të kompanive të ndërtimit që të sigurojnë masat e duhura mbrojtëse për punëtorët, dënohen nga shteti me shifra qesharake.

Kompanitë ku punëtorët humbin jetën dënohen më së shumti deri 2 mijë euro.

Siguri më shumë nga punëdhënësit e reagim më të madh nga shteti kërkon tash e dy dekada Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës (SPPSPK), por kot.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore