Lajme

Kica-Xhelili: Librat me kosto shumë më të lartë sesa kur bliheshin me tender


Doarsa Kica-Xhelili

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar të mërkurën pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i ndarë  mbi 6 milionë euro për subvencionimin e teksteve shkollore për klasat 1-5 e mbi 6 të tjera për subvencionimin e materialeve mësimore për klasat 1-9.

Kica-Xhelili, nëpërmjet një postimi në llogarinë e saj në “Facebook”, ka konsideruar se tashmë veçse po dëshmohet që tekstet dhe materialet e tjera shkollore po iu kushtojnë prindërve shumë më shtrenjtë se përpara, madje edhe me kosto të larta për përditshmërinë e tyre.

“Nga dikur 8 milion në 13 si total, po kamuflojnë koston shtesë kinse në emër të materialeve tjera shkollore, sepse u dëshmua që librat po u kushtojnë prindërve më shtrenjtë se kur i kontraktonte ministria me tender. Bonus: nervoza; koha; transporti”, ka shkruar deputetja e LDK-së.

Dështimin për t’i furnizuar nxënësit me tekste shkollore, kur kanë mbetur vetëm pak ditë deri në nisjen e vitit të ri shkollor, zyrtarë të lartë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) janë munduar ta arsyetojnë me premisën se shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime të larta për blerjen e librave të filloristëve.

E deputetja e LDK-së ka vlerësuar se situata është e njëjtë, veçse atyre bizneseve që dikur iu thonin se “po e zhvatin paranë publike” me tender, tash ekzekutivi përmes subvencionimit po iu japin sërish para, porse me kosto shtese e duke i “demonizuar” të njëjtit.

“Domethënë ju bleni te ata por ne nuk blejmë, veç ua japin të hollat me ndërmjetës. Pak më shumë besa, por s’ka gjë. E shesim ndërkohë si sukses. Me shumë gjasë, e kanë shumë seriozisht konceptin “40% janë analfabet funksional”. E kanë thënë. E kanë shkruar. E mendojnë. Llogarisin në këtë. Ndryshe nuk kuptohen veprimet e tyre”.

MASHT-i ka pretenduar se me inciativën që t’i ngarkojë prindërit me blerjen e teksteve shkollore e pastaj t’ua rimbursojnë paratë përmes platforës online “eKosova”, duke prishur kështu zinxhirin dekadësh të blerjes së librave, po e kursejnë buxhetin e shtetit dhe po i denoncojnë çmimet e larta.

Të premten e javës së kaluar është hapur aplikimi për rimburësimin e mjeteve për blerjen e teksteve shkollore të 227 mijë e 984 nxënësve filloristë, ndërsa, siç ka njoftuar MASHT-i, paratë parashihet t’iu dalin prindërve në xhirollogaritë bankare para 1 shtatorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore