Lajme

Kica-Xhelili: E rrezikshme, jodemokratike në mendësi mbajtja e dy seancave të jashtëzakonshme brenda ditës


Deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Doarsa Kica Xhelili.

Deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Doarsa Kica Xhelili, ka kritikuar Kuvendin e Kosovës për mbajtjen e dy seancave të jashtëzakonshme brenda një dite.

Sipas saj, këto seancë që po mbahen as nuk janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën.

“Çka i bie të abuzosh me pushtetin që ke? I bie t’i thërrasësh dy seanca të jashtëzakonshme brenda ditës, me tre ligje të ndryshme, plotësisht të pandërlidhura njëra me tjetrën, vetëm pse i ke numrat”, ka shkruar Kica-Xhelili në rrjetin social ‘Facebook’.

Ajo e ka quajtur këtë “të rrezikshme e jodemokratike”.

“Kur e zakonshmja bëhet e jashtëzakonshme, e jashtëzakonshmja çka bëhet? Bëhet formë e veprimit. E jashtëzakonshme, e rrezikshme, jodemokratike në mendësi”.

Kuvendi i Kosovës është duke mbajtur dy seanca, në seancën e parë janë trajtuar pikat e papërfunduara, kurse seancë e dytë është ftuar si e jashtëzakonshme ku është duke u diskutuar për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat pensionale të financuara nga shteti edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zyrtarët publikë.

Po ashtu, me të nisur seanca e re zyrtarë të Kuvendit kanë vendosur një shirit në ballkonin ku qëndrojnë gazetarët, duke ua pamundësuar pamjen e plotë të sallës së seancave dhe duke ua vështirësuar punën.

Për këtë arsye gazetarët kanë bojkotuar seancën e cila është duke u mbajtur në Kuvendin e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore