Lajme

KGjK: MD-ja të mos e cenojë punën e gjyqësorit, t’i përfillë rekomandimet e Komisionit të Venecias


Këshilli Gjyqësor i Kosovës

Pas opinionit të Komisionit të Venecias për çështjen e Vettingut dhe Byrosë shtetërore për Konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme Këshilli Gjyqësor i Kosovës përmes një njoftimi ka bërë të ditur se ata janë që vlerësimet dhe propozimet e Komisionit në fjalë duhet të përfillën me përpikmëri.

Rekomandimet e Komisionit, sipas KGJK-së në mënyrë të përsëritur gjatë tërë Opinionit, bëjnë thirrje për qasje vërtet të kujdesshme sa i përket çdo iniciative, propozimi apo reforme të pamenduar dhe analizuar mirë.

“Opinioni i Venecias në mënyrë sistematike dhe duke tërhequr vëmendje në instrumentat ndërkombëtare të lirive dhe të drejtave të njeriut, si dhe duke shkoqitur praktikat e vendeve tjera, në vlerësimet e dhëna në këtë Opinion, spikatë pavarësinë e gjyqësorit të garantuar dhe mbrojtur qartësisht me Kushtetutën e Republikës se Kosovës”, thuhet në njoftimin e tyre.

Sipas Këshillit Gjyqësor nëse Ministria e Drejtësisë ndërmerre masa dhe veprime të çakorduara do i bëjë dëm vështirë të sanueshëm tërë sistemit gjyqësor, dhe rrjedhimisht do shkaktojë zvarritje të procedurave gjyqësore, të cilat pashmangshëm do ja pamundësojnë qytetarëve të vendit një qasje efektive në drejtësi.

“Në vend të një iniciative që rrezikon mbarëvarshmërinë e punës së gjyqësorit si dhe zhvlerëson tërë punën dhe investimin e bërë në forcimin e sistemit gjyqësor, Këshilli Gjyqësor i Kosovës fton Ministrinë e Drejtësisë për intensifikim të dinamikës së punës së përbashkët për avancimin e reformave të nisura, dhe bashkë me këtë, të konceptohen nisma të reja me një qëllim të përbashkët – konsolidimin e mëtutjeshëm të sundimit të ligjit, promovimit dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të qytetarëve të vendit”, vazhdon komunikata.

Këshilli Gjyqësor më tej ka njoftuar se nuk do të mbështesë grupet punuese për cilëndo iniciativë për ndryshime Kushtetuese që ka për qëllim themelimin e mekanizmave jashtë gjyqësorit për verifikim dhe kontrolle të integritetit, pasi që kjo mund të sigurohet brenda një kohe të arsyeshme me anë të mekanizmave të brendshme të Këshillit të KGJK-së të cilët duhet të jenë përhershëm.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës riafirmon qëndrimin dhe qasjen, e cila me këtë Opinion të Komisionit të Venecias veç sa është përforcuar, se adresimi i sfidave në sistemin gjyqësor si dhe përmirësimi i vazhdueshëm i performancës së gjyqësorit, duhet të bëhet me anë të nismave ligjore dhe politikave zhvillimore të koordinuara mirë për t’i fuqizuar edhe më tej mekanizmat e brendshme të verifikimit, llogaridhënies, performancës dhe transparencës. Nismat e panevojshme, të pakoordinuara, me një racionalizim jo të mirëfilltë, të cilat mëtojnë ndërhyrje invazive në punën dhe pavarësinë e gjyqësorit nuk do të mbështeten nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës”.

Sipas njoftimit Këshilli Gjyqësor do të vazhdojë me reformën shumëdimensionale, e cila tashmë është reflektuar dhe ka dhënë rezultate të forta në procesin e rekrutimit të gjyqtarëve të rinj, vlerësimin e performancës së gjyqtarëve në sistem, avancimin e tyre në instanca më të larta gjyqësore si dhe zbatimin e masave disiplinore për të përforcuar llogaridhënien.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës, propozimet dhe rekomandimet e nxjerra nga Opinioni i Venecias, do t’i fuzionojë në reformat e nisura si draft-dokumentin e Strategjisë së KGJK-së, draft-dokumentin e digjitalizimit të gjykatave, si dhe kornizën rregullative, po ashtu në konceptimin e nismave të reja. Me qëllim të koordinimit më efektiv të këtyre nismave brenda institucionit, KGJK do themelojë komisione ad-hoc dhe grupe punuese të cilat në punën e tyre presim mbështetjen e vazhdueshme me ekspertizë nga partnerët dhe donatorët ndërkombëtarë, thuhet më tej në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore