Kosova

KFOR: Po e vlerësojmë situatën e sigurisë, ne jemi të gatshëm


Ilustrim: KFOR

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se janë në koordinim të vazhdueshëm me të gjithë homologët dhe se vazhdimisht “po vlerësojmë situatën e sigurisë në Kosovë”.

Ky reagim i KFOR-it është bërë në një postim në faqen e tyre zyrtare në Facebook, ku kanë theksuar janë të gatshëm për të ruajtur një mjedis të sigurt në Kosovë.

“KFOR-i është i gatshëm dhe plotësisht i përkushtuar për të ruajtur një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë – në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – dhe lirinë e lëvizjes”, kanë thënë nga KFOR.

Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, pas tensioneve të fundit në Veri të Kosovës, posaçërisht pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, i janë shtuar trupat në rradhët e tyre, për të treguar kështu vendosmërinë e Aleancës në parandalimin e çfarëdo incidenti që mund të krijonte ndonjë krizë më të gjerë.

Ndërsa, Komandanti i Forcës Paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Ozkan Ulutas, të enjten ka takuar ambasadorët e shteteve të QUINT-it në vend, ku në qendër të vëmendjes ka qenë situata e sigurisë në Kosovë dhe mbështetja e mëtejshme ndaj procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).

Në këtë takim ka marrë pjesë ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Jeffrey Hovenier, ambasadori i Francës, Olivier Guerot, ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, ambasadorët e Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, Antonello De Riu e Nicholas Abbott, por edhe ambasadori turk, Sabri Tunç Angılı dhe shefi i zyrës së BE-së, Tomas Szunyog.

“Pjesëmarrësit kanë shkëmbyer mendime mbi një sërë temash, duke përfshirë aktivitetet e KFOR-it nën mandatin e tij dhe përpjekjet e vazhdueshme për sigurinë në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme që respekton të drejtat e të gjithë njerëzve”, ka njoftuar KFOR-i të enjten.

Komandanti i KFOR-it takon ambasadorët e QUINT-it, flasin për situatën e sigurisë dhe dialogun

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore